Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk i zbut aspak deklaratat për kinën dhe mënyrën se si ajo e ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit
. Ai e akuzoi së fundmi atë për vrasje në masë çka edhe ndezi reagimin e menjëhershëm të Pekinit. Ministria e jashtme e kinës insiston se vendi ka bërë më të mirën e mundshme për të mbrojtur jetët e njerëzve gjatë pandemisë. Tensionet mes SHBA dhe Kinës janë rritur në vazhdimësi që kur koronavirusi, që fillimisht u shfaq në qytetin kinez të Wuhanit, gjunjëzoi ekonominë globale. Që atëherë, Trump i ka bërë sulmet ndaj Pekinit një element qendror të fushatës së tij për rizgjedhje duke thënë se ai është përpjekur të mbajë të fshehtë fillimisht virusin, një akuzë kjo që kina sërish e mohon. Sulmi më i fundit, një ditë më parë, është ai i bërë përmes një postimi në Twitter, ku Trump fajësonte kinën për vrasje masive në të gjithë botën.
“Ne kemi thënë gjithnjë të vërtetën, kemi folur me arsye dhe kemi bërë të pamundurën për të mbrojtur jetët dhe shëndetin e njerëzve”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze duke përsëritur qëndrimin se vendi ka qenë i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm.
Kina është vënë në fakt nën kritika për reagimin fillestar të saj ndaj shpërthimit të virusit që deri më tani ka marrë më shumë se 325 mijë jetë njerëzish në të gjithë globin. Ndërsa koronavirusi vazhdon marshimin e tij në glob, qeveri të ndryshme, përfshirë atë amerikane dhe australiane, kanë kërkuar për një hetim të origjinës së tij. Vetë Trump ka këmbëngulur tek teoria se patogjeni ka dalë nga një laborator kinez.
Top Channel