Rusia një hap më pranë ushtrisë autonome me testimet e pilotëve robotë

20/05/2020 18:45

Krerët e ushtrisë ruse kanë dislokuar pilotë robotë në fluturimet e testimit të avionëve të tyre të fundit.

Mediat ruse njoftuan dje gjuajtësit e rinj Su-57 kanë kryer me sukses testimet e fluturimeve pa pilot në disa vendndodhje të pazbuluara.

Zhvillimi vjen pas raportimeve se Moska është pranë prezantimit të një ushtrie me makineri autonome lufte, që në të ardhmen do të zëvendësojnë trupat ushtarake.

Su-57 është avioni i parë anti-radar rus dhe është përshkruar si “gjuajtës i gjeneratës së pestë” me armë të teknologjisë së lartë.

Vladimir Putin besohet se ka urdhëruar dislokimin e avionëve në konfliktin e Sirisë në 2018, për t’i testuar në kushte reale lufte dhe për të treguar forcën ajrore të Rusisë.

Ky avion konsiderohet nga ekspertët si kundër-përgjigja e Rusisë ndaj gjuajtësit elitar amerikan F-22 Raptor, i krijuar për mposhtjen e objektivave ajrore e tokësore, pa u pikasur nga radarët.

Por raportimet e testimit të fluturimeve me pilotë robotë, do të ishin një nivel i ri i teknologjisë ushtarake.

Rusia kishte mbetur prapa në garën e makinerive autonome të luftës, por ekspertët thonë se tashmë po përpiqet të ruajë ritmin.

Droni i saj i ri S-70 është prezantuar vitin që kaloi dhe Kremlini shpreson që të fluturojë përkrah Su-57.

Krerët ushtarakë shpresojnë që dy avionët të fluturojnë të sinkronizuar në mënyrë automatike për të kryer sulme shkatërrimtare në tokë.

FOTO GALERI
1/4
Gjuajtësit e rinj Su-57 kanë kryer me sukses testimet e fluturimeve pa pilot në disa vendndodhje të pazbuluara.

Top Channel