Top Story/ Përllogaritja e të ardhurave, një familje me 4 milionë lekë në muaj, nuk e blen dot një apartament në kullë

19/05/2020 23:55

Nëse një familje me të ardhura shumë të mira, deri në 4 milion lekë në muaj, kërkon të blej një banesë në qendër të Tiranës, kryesisht në kullat që po ndërtohen ose rezidencat luksoze tek ish – Blloku.

Kjo familje ka nevojë për një hapësirë prej 150 metra katrorë. Vlera e apartamentit tek rezidencat luksoze, me 4 mijë euro/m2, shkon 600 mijë euro dhe nëse i shton 40 mijë euro garazh, kap shifrën e 640 mijë eurove.

Kaq shumë para nuk mund të kursehen nga të ardhurat, edhe pse kjo familje konsiderohet në nivelin e lartë të jetesës. Atëherë orientohemi nga kredia në bankë.

Fillimisht kjo familje duhet të ketë 192 mijë euro, rreth 30 % të shumës, sepse banka të financon pjesën tjetër, 70 % të shumës. Për të kursyer këtë shumë, kjo familje duhet të heqë mënjanë rreth 2 milionë lek çdo muaj, për 10 vite rresht.

E marrim të mirëqenë që këto para u grumbulluan për 10 vite, vijmë tek pjesa e kredisë së bankës. Familja duhet të marrë diferencën kredi, rreth 448 mijë euro, për një afat 25 vjet, maksimumi që të lejon banka.

Referuar normave të interesit, kësti i kredisë për këtë shumë shkon mbi 1700 euro në muaj, ose rreth 2 milion lekë të vjetra. Praktikisht, banka do ta refuzojë këtë kredi, pasi kësti që duhet të paguash nuk duhet të kaloj 35% të të ardhurave.

Familja kishte 4 milionë të ardhura dhe kësti i kredisë prej 2 milionë lekë është 50 % e të ardhurave.

Kjo është një llogari e thjeshtë, që mund ta bëj kushdo. Pyetja qëndron, nëse familja me 4 milionë lekë të ardhura në muaj nuk ka mundësi të blejë një shtëpi në këto rezidenca luksoze, atëherë kush janë blerësit e tyre?

Top Channel