Top Story/ Paradoksi, edhe sikur të paguhesh 1200 euro në muaj, në qendër nuk ke mundësi të blesh një apartament

19/05/2020 23:43

Vajza që jeni duke parë në këto momente është një mjeke stomatologe. Ajo ka eksperiencë punë prej 6 vjetësh, ndërsa tre vitet e fundit ka hapur klinikën e saj. Ajo është në kërkim të blerjes së një banese.

“Isha e interesuar që pas disa vitesh një pjesë të buxhetit tim ta investoj për të blerë një pronë. Isha e interesuar më tepër për një shtëpi të tipologjisë 2 plus 1 por të jetë një pronë që të ketë goxha karakteristika të mira.

Fakti që periudha e Covidit, besoj se mund të ketë oferta më të mira, duke qenë se vendi është pak në krizë dhe shpresoj që ta shfrytëzoj këtë moment për të blerë një pronë pse jo edhe pak më lirë se sa mund ta blej zakonisht. Pikë së pari do të shikoj pronën por nëse më duhet do ta plotësoj një pjesë të buxhetit tim me ndonjë kredi. Të ardhurat mujore variojnë te 1000-1200 euro”, shprehet Xhensila

– Jam e interesuar për një apartament për banim të tipologjisë 2 plus 1
– Në çfarë zone jeni e interesuar?
– Përgjithësisht do të preferoja zonën nga qendra deri te 21, do të ishte shumë mirë.
– E kuptoj, sa i përket buxhetit çfarë buxheti keni? Minimal, maksimal?
– Buxheti mund të variojë nga 80 deri në 150 mijë euro pak a shumë
– Kuptoj… po sipërfaqja e apartamentit?
– Sipërfaqja , nuk e di po pak a shumë te 80 -120 metra katrorë, duke parë.
– Jeni e interesuar vetëm për objekt ekzistues apo edhe për objekt të ri ?
– Nuk është se e kam të vendosur por do shikojmë pronat dhe më pas do e vendosim….
– Edhe një pyetje kisha para se të bëja filtrim të pronës. Për kreditim jeni e interesuar?
– Le të themi që do të mbetet si opsion duke parë në varësi të pronës që do të më pëlqej.
– Ok, unë po filtroj sistemin dhe po ju prezantoj me disa prona që ne kemi dhe më pas vijojmë në terren për ti parë pronat konkretisht.

Ky apartament që ndodhet në periferi të Tiranës, për Xhensilën me profesion stomatologe që ka të ardhura mbi mesataren, mund ta përballohet. Por nëse e orientojmë drejt qendrës së Tiranës, atëherë është e pamundur që të blesh një banesë.

Marrim një shembull konkret, që ta thjeshtojmë më tepër për publikun. Nëse Xhensila do të kërkoj një apartament në zonën e ish Bllokut, apo në afërsi të Rrugës së Kosovarëve, çmimi këtu shkon deri në 2000 euro / m2. Një banesë prej 120 metra katror, kap shifrën e 240 mijë eurove dhe nëse i shton edhe 25 mijë euro garazh, shkon 265 mijë euro.

Xhensila duhet të siguroj 30 % të kësaj shume, rreth 80 mijë euro, pasi banka të krediton vetëm 70 % të saj. Me profesion stomatologe, ajo siguron 1200 euro të ardhura në muaj, nga të cilat 700-800 euro në muaj janë për jetesën minimale, makinën dhe qiranë e shtëpisë. Diferenca nga të ardhurat mbetet 400 euro dhe për të kursyer 30% që të kërkon banka, Xhensilës i duhen rreth 20 vjet. Këtu flasim vetëm për një këst të apartamentit, pasi për të shlyer të gjithë apartamentin, me këto të ardhura i duhen mbi 70 vjet.

Kjo tregon se një i ri ose e re sot, me rrogë të mirë duhet të presë deri në pleqëri që të gëzojë një banesë. Ne bëmë një llogaritje tepër të thjeshtë duke marrë si shembull disa apartamente në Tiranë që kanë çmime pak më të larta se referenca e shtetit. Por nëse do ti referohemi kullave dhe ndërtimeve luksoze që shkon deri në 4 mijë euro m2, për Xhensilën duhen 2 shekuj që të shlyej apartamentin.

Top Channel