Top Story/ Cilat janë kullat dhe ndërtimet më të shtrenjta në Tiranë, që shkojnë deri në 4 mijë euro/m2

19/05/2020 23:39

Top Story në dokumentarin çmimi i ndërtimeve pasqyroi disa prej godinave që shpesh në Tiranë njihen si kulla. Janë me dhjetëra të tilla, por çmimeve të tyre as nuk mund ti afrohesh. Ato variojnë nga 1600 euro e deri në 3500 euro m2, një absurditet nëse marrim për bazë nivelin e pagave në Shqipëri dhe mundësinë e kreditimit nga bankat.

“Një nga komplekset më të reja në zhvillim “Lake Veië” ku po bëhet ndërtimi i disa godinave me sipërfaqe ndërtimi rreth 128 mijë metër katror rreth 15 katësh e ndarë në ambiente banimi dhe shërbimi. Çmimi i shitjes këtu varion nga 1600 euro deri në 2400 euro për metër katror. Çmimi i referencës është rreth një milionë e 400 mijë lekë të vjetra”, tregon Fjordi Subashi, Agjent Imobilar.

“Në rrugën e Elbasanit konkretisht te 7 xhuxhat. Bëhet fjalë për ndërtimin e një kulle 40 katëshe multifunksionale ku rreth 2 912 metra katror do shërbejnë për ambiente komerciale, rreth 28 840 metra katrorë do të shërbejnë për ambiente zyrash dhe rreth 26 mijë metra katror ambiente për banim. Sigurisht që target grupi i klientëve këtu kanë portofol të bollshëm. Jo të gjithë mund të afrohen për të blerë për arsye se çmimet e shitjes dalin nga 3000 – 3500 euro metri katror. Gjithashtu edhe çmimi i referencës së zonës është nga më të shtrenjtat në Tiranë ku shkon në një milionë e 93 mijë lekë të vjetra”, tregon Fjordi Subashi, Agjent Imobilar.

Ndërkohë që në kryeqytet ka nisur ndërtimi i një godine tepër të shtrenjtë për xhepin e shqiptarëve. Bëhet fjalë për “Book Building”, e pozicionuar në krah të Bashkisë së Tiranës, dhe ka disa godina mes tyre edhe një kullë 21 kate.

Çmimi për metër katror në këtë zonë do të jetë nga 3000 deri në 4000 euro. Referuar mundësisë për të blerë një shtëpi, këtu është e pamundur jo vetëm për shtresën e mesme por edhe për të pasurit.

Pra, ta shpjegojmë më thjesht. Nëse një biznesmen ose një familje me gjendje të mirë ekonomike kërkon një apartament 150 m2, atëherë duhet të paguajë plot 600 mijë euro. Ky nuk është asnjë investim efiçent por mbi të gjitha as nuk justifikon koston e ndërtimit.

“Kostot e ndërtimit unë nuk di ti them se ka një sërë shpenzimesh. Por kostot e ndërtimit vetëm të ndërtimit mund të shkojnë te 500 euro”, thotë Agron Hysenlliu, Drejtor i Insitutit të Ndërtimit

Në krah të Hotel Dajtit po zhvillohet projekti “MET Building Tirana”. Ky projekt përfshin një ndërtesë të re komerciale dhe rezidenciale në zemër të Tiranës. Projekti i “MET Building Tirana” do të jetë një kullë 12-katëshe, fasada dhe tarracat e së cilës do të jenë të gjelbëruara. Edhe këtu çmimi shkon 3000 deri në 3500 euro m2.

“Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë me mbi 55 mijë metra katrorë. Punimet për ndërtimin e kullës kanë nisur dhe ndodhet tek Sheshi Skëndërbej. Çmimi këtu shkon nga 3000 euro deri ne 4000 euro m2, sërish një çmim stratosferë nëse e krahasojmë me nivelin ekonomik të Shqipërisë.

Pas disa kohësh pezullimi, punimet kanë nisur për objektin 20- katësh në afërsi të qendrës përballë Kishës Ortodokse, e cilësuar “Tirana Forever Green”. Objekti zë një sipërfaqe prej më shumë se 12.400 m² dhe ka 20 kate, në të cilat katër nëntokë. Edhe këtu çmimi shkon mbi 3000 euro m2.

Po të vijonim në këtë mënyrë do të kuptonim se lista e objekteve që po ndërtohen në Tiranë është e gjatë. Por a është bërë një planë i mirëfilltë urbanistik për zhvillimin e Tiranës dhe a ka qyteti nevojë për kaq shumë kulla?! Mendimet për këtë janë të ndryshme, dikush thotë që kanë prishur estetikën e kryeqytetit, dikush tjetër e konsideron si zhvillim të nevojshëm të Tiranës.

Top Channel