Lulishtari i vjetër/ Hamit Asllani kujdeset për lulet, jo vetëm punë por dhe pasion

19/05/2020 19:28

Hamit Asllani është një prej lulishtarëve më të vjetër në qytetin e Gjirokastrës. Me 33 vite punë ai është duke u përpjekur çdo ditë ti shtojë gjelbërimin rripave të ngushtë të tokës të përfituara prej betonizimit.

Ai është në krye të një ekipi të vogël lulishtarësh që i kanë shtuar më shumë ngjyra këtë vit qytetit dhe që e marrin kënaqësinë prej rritjes së bimëve dhe falënderimeve të qytetarëve.

“Kur të thotë tjetri të lumshin duart mua si i thonë , më ngrihet qimja përpjetë, ajo është kënaqësia. Është e bukur të merresh me lulet?
Është shumë e bukur, merr dhe aromën dhe lezetin. Për mua nuk është e vështirë duhet të dish kur mbillet një lule, dhe sa kohë shkon se nëse nuk i di këto kot që e mbjell. Fjalën ma dëgjojnë të gjithë sidomos ata që sapo kanë ardhur.”

Hamiti shpreh keqardhjen e tij që i duhet sot të rimbjellë lule të dëmtuara nga qytetarët vetëm pak ditë më parë.

“Mua më vjen shumë keq se vajta një jetë të tërë, është si ajo që ti i shërben diçkaje dhe kur i ikën i vjen keq. Dhe mua ashtu më vjen keq se kam një jetë që shërbej. Dëmtuesit nuk janë të shumtë por ka, dikush e ben nga pavetëdija.”

Hamit Asllani thotë se lulishtaria është një profesion i lehtë nëse ti e do punën, është një profesion që kërkon dedikim, kërkon ti duash lulet të përkujdesesh për bimët dhe të mos i lësh ato të thahen.

Koha tani është shumë e përshtatshme sidomos për lule sezonale sepse kohën e zgjedh vetë ai që është profesionist se s’mund të mbjellësh lule në dhjetor , jo të të zgjedhë koha ty ta zgjedhësh ti kohën.

A ka të rinj që e zgjedhin sot profesionin e lulishtarit? Janë shumë të rrallë se mendojnë, punë në komunale siç i thonë fjalës. Duke ardhur, mësuar e duke parë çfarë bëhet fillon e ndërgjegjësohet tjetri.”

Gjirokastra ka nën administrim vetëm 8400 m2 sipërfaqe të gjelbër brenda parkut të Viroit dhe 4000 m2 në qytet. Përpjekjet për të shtuar hapësirën e blertë në Gjirokastër kanë ardhur pas reduktimit me shpejtësi të kësaj të fundit në harkun e 2-3 dekadave duke e çuar nivelin e sipërfaqes së blertë në rreth 0,5 m2 për banor që është mes më të ulëtave në Shqipëri. /Kristina Fidhi/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA