Qentë anti-covid, fillon testimi në Britaninë e Madhe

17/05/2020 02:04

Në Britaninë e Madhe po testohet nëse qenë nuhatës të trajnuar mund të pikasin koronavirusin tek njeriu. Qentë janë trajnuar për të pikasur aromën e disa kancereve, malarjes dhe parkinsonit, nga një organizatë jo qeveritare më herët.

Faza e parë e testimit do të udhëhiqet nga London School of Hygiene & Tropical Medicine dhe universiteti i Durhamit. I gjithë projekti mbështetet nga 500 mijë paundë financim qeveritar.

Ministri britanik i inovacionit Lord Bethel, thotë se shpreson që qentë mund të ofrojnë rezultate të shpejta si pjesë e strategjisë së qeverisë për testime masive. Testimet do të provojnë nëse qentë covid, që janë labradorë apo langoj spanjollë, mund të pikasin virusin tek njeriu përmes nuhatjes, para se simptomat të shfaqen.

Testet do të përcaktojnë nëse qentë, që mund të skanojnë deri në 250 persona në orë, mund të përdoren si një mjet i hershëm paralajmërues për të pikasur Covid-19 në të ardhmen. Pas një faze fillestare testimi prej tre muajsh, qeveria do të vendosë se ku beson se qentë do të ishin më të dobishëm. Një mundësi është që ata të përdoren në pikat hyrëse në vend si aeroporte etj.

Por qentë mund të përdoren edhe në qendrat e testimit si një tjetër formë për konfirmimin e sëmundjes, bashkë me testet e pështymës. Kërkimet e deritanishme kanë treguar se qentë mund të trajnohen për të nuhatur aromën e një sëmundjeje deri në ekuivalentin e një luge çaji sheqer të hedhur në ujin e dy pishinave me përmasa olimpike.

Top Channel