Maqedonia e Veriut ka regjistruar edhe tre të vdekur nga koronavirusi duke e çuar në 101 numrin e viktimave që nga paraqitja e virusit COVID-19.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, dy viktima janë nga Tetova të moshës 57 dhe 78 vjeç ndërsa i treti është nga qyteti i Velesit, i moshës 58 vjeç.
I rëndë është sakaq lajmi i vdekjes së një vajze 14 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë rrugës për në Klinikën Infektive në Shkup. Ajo ishte shtruar në spitalin e Strugës në gjendje të rëndë shëndetësore. Në Shkup do të testohet për koronavirus.
Ministria e shëndetësisë njoftoi për 30 të infektuar, një shifër më e lartë kjo kahasuar me tre ditët e fundit. Numri më i madh i rasteve të reja është në Shkup.
Nga ana tjetër vazhdojnë përpjekjet për ta kontrolluar situatën përmes respektimit të masave të izolimit. Ministria e brendshme maqedonase njoftoi se 39 persona e kanë shkelur ndalimin e lëvizjes; 30 prej tyre janë shoqëruar në polici për shkelje të rregullave ndërsa kundër 9 të tjerëve do të ngriten padi penale.
Top Channel