Jep dorëheqje kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Senatit amerikan

15/05/2020 03:16

Kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Senatit të SHBA-së, republikani, Richard Burr, ka dhënë dorëheqje nga pozita. Vendimi i tij vjen në kohën kur po zhvillohet një hetim mbi një shitje të aksioneve, pak para rënies së tregjeve financiare, për shkak të pandemisë globale të koronavirusit.

Ai po hetohet nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) nëse ka përdorur informacionet jopublike për të shitur aksionet dhe për të shmangur humbjet. “Richard Burr kontaktoi me mua këtë mëngjes për të më informuar për vendimin e tij për t’u larguar si kryetar i Komitetit të Inteligjencës”, tha udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell në një deklaratë më 14 maj.

“Ne u pajtuam që ky vendim të ishte në interesin më të mirë të komitetit”, shtoi McConnell. Njoftimi për dorëheqje pasoi raportimet se telefoni i Burr-it, është konfiskuar nga ana e FBI-së në shtëpinë e tij në Uashington, si pjesë e hetimit të nisur nga Departamenti i Drejtësisë.

Të dhënat e Senatit tregojnë se Burr dhe gruaja e tij shitën midis afro 600,000 dhe 1.7 milionë dollarë aksione në fund të janarit deri nga mesi i shkurtit, pak para se tregjet financiare të fillonin të bien, nga frika e një krize ekonomike të shkaktuar nga përhapja e koronavirusit.

Disa senatorë të tjerë gjithashtu raportuan se kanë shitur aksione para rënies, por nuk është konfirmuar nëse po hetohen. Në Shtetet e Bashkuara është e paligjshme për anëtarët e Kongresit të tregtojnë letra me vlerë në bazë të informacionit të fshehtë, që ata marrin gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare./REL

Top Channel