Emri/ Arrestohet bashkëpunëtori i autorit të vrasjes së dyfishtë në Lezhë, i dënuar më parë për plagosje

15/05/2020 09:09
Pamje nga vendi i ngjarjes ku u vranë Preng Simoni dhe Kolë Murrani

LEZHË –  Ka rënë në pranga e policisë bashkëpunëtori i vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Lalm Lukaj, të Lezhës.  I arrestuari është  Agron Lushaj., 35 vjeç, banues në Lalm Lukaj, Lezhë, me precedent kriminal, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Kujtojmë se më 27 prill në fshatin Lalm mbetën të vrarë me armë zjarri Preng Simoni dhe Kolë Murrani. Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar edhe autori i dyshuar i vrasjes Aleksandër Perdod. Policia thotë se Perdoda ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij.

Njoftimi i policisë:

Vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur në Lalm Lukaj, Lezhë.

Kapet dhe ndalohet bashkëpunëtori i autorit të dyshuar të vrasjes me armë zjarri të shtetasve K. M. dhe P. S.

Vihet në pranga 35-vjeçari, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së datës 27 prill, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, në vijim të veprimeve, në bashkëpunim edhe me Institutin e Policisë Shkencore, ka bërë të mundur sigurimin e provave shkencore për bashkëpunëtorin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Bazuar në këto prova shkencore është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. L., 35 vjeç, banues në Lalm Lukaj, Lezhë, me precedent kriminal, i dënuar më parë për plagosje me armë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit A. L., për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel