BBC kërkon ndjesë për prezantuesen që tha se “punonjësit e pakualifikuar” janë më të rrezikuar nga koronavirusi

14/05/2020 20:04

Rrjeti shtetëror britanik BBC ka kërkuar ndjesë, pasi lexuesja e vjetër e lajmeve Fiona Bruce pretendoi se punëtorët ‘e pakualifikuar’ janë më të rrezikuar të preken nga koronavirusi.

Duke komentuar mbi lajmet për vdekshmërinë e koronavirusit, Bruce tha mes të tjerave se “punonjësit më pak të kualifikuar si shoferët e autobuzëve,” janë më të rrezikuar nga sëmundja.

“Njerëzit në vende pune pa kualifikime si rojet e sigurisë, punonjësit e azileve dhe shoferët e autobuzëve, kanë më shumë gjasa të vdesin nga koronavirusi sipas të dhënave të reja”, tha ajo.

Por rrjeti BBC kërkoi ndjesë publike për mënyrën e shprehjes së gazetares. “Ne po raportonim shifrat e Zyrës Kombëtare të Statistikave dhe termi ‘i pakualifikuar’ përdoret prej agjencisë për disa tipe punësh, prandaj dhe u përdor prej nesh”, thanë ata.

Më tej rrjeti shtonte në justifikim: “Ne vlerësojmë shqetësimin se disa përshkrime nuk japin vlerësimin e duhur për punonjës të sektorëve kyçë të ekonomisë dhe tashmë kemi ndryshuar mënyrën e përshkrimit të tyre. Ne nuk kishim qëllim të shkaktonim ofendim dhe na vjen keq që disa shikues e konsideruan si të tillë”.

Zhvillimi vjen pasi kryeministri Boris Johnson tha më herët se ata që nuk punojnë dot nga shtëpia – siç janë shoferët e autobuzëve apo punëtorët e ndërtimit – duhet të kthehen në punë.

Johnson tha se ata duhet ta bënin këtë duke ecur, ose duke përdorur makinë ose biçikletë, dhe se duhet të evitonin transportin publik.

Top Channel