Pas vrasjes makabre të komshiut dhe të afërmit të tij Raman Çela në fshatin Jaupas të rrethit të Skraparit mbrëmjen e së hënës, autori i kësaj ngjarjeje të rëndë është përballur sot me “togat e zeza” të Gjykatës së Shkallës së Parë Berat,për tu njohur me masën e sigurisë.

Vrasësi 37-vjeçar Hamza Çela është transportuar drejt Gjykatës së rrethit të Beratit nën masa të rrepta sigurie,ndërkohë që në seancë nuk është lejuar prania e medias,për shkak të situatës pandemike nga virusi Covid-19.Gjatë seancës që zgjati rreth 1-orë mësohet se,prokurori i çeshtjes Tasim Puci ka kërkuar vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të tij dhe ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Gjyqtarja Adelajda Gjuzi pasi ka dëgjuar palën akuzuese dhe atë mbrojtëse që për shkak të problemeve mendore të 37-vjeçarit që nuk është i pajisur me raport mjekësor ka kërkuar shtrimin në Spitalin Psiqiatrik në Vlorë,e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë dhe ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Jaupas të rrethit të Skraparit mbrëmjen e së Hënës. 77-vjeçari Ramadan Çela u masakrua me thikë nga i afërmi i tij Hamza Çela, që sipas dëshmive të nipërve të viktimës në vendngjarje, i kishte prerë atij kokën, damarët e duarve e të këmbëve dhe i kishte nxjerrë zemrën jashtë. 77-vjeçari Ramadan Çela,që prej vitesh jetonte në qytetin e Poliçanit,ishte kthyer në shtëpinë e vjetër që kishte në fshatin Jaupas për tu marrë me tokat bujqësore dhe pemtarinë, por duke vaditur tokat e mbjella me domate ai u qëllua nga prapa me thikë nga Hamzai dhe pasi ra në tokë u masakruar nga autori,derisa gjeti vdekjen nga gjakderdhja.

Autori që shëtiti me thikë në dorë dhe me bluzën e lyer me gjak nëpër fshat u kap nga policia gjysmë ore pas vrasjes,në përpjekje për tu larguar nga fshati.

Top Channel