Trump: Kompanisë Tesla duhet t’i lejohet hapja e fabrikës

13/05/2020 02:59

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje Kalifornisë që të lejojë rihapjen e kompanisë Tesla, pasi shefi ekzekutiv i saj, Elon Musk, ka thënë se do të rinisë prodhimin në fabrikë, pavarësisht vendimeve për mbyllje, për shkak të pandemisë me koronavirus.

“Kalifornia duhet të lejojë Teslan dhe Elon Musk që të hapin fabrikën tani. Mund të bëhet shpejt dhe sigurt”, ka thënë Trump përmes një postimi në rrjetin social, Twitter. Trump i ka bërë këto komente një ditë pasi Musk ka njoftuar se prodhimi do të nisë në fabrikë dhe nëse dikush duhet të arrestohet, atëherë ai është personi i duhur.

Musk ka kritikuar në javët e fundit vendimet e Kalifornisë për të zbatuar masat e izolimit, me qëllim të luftimit të koronavirusit. Kjo kompani ka nisur ankesë tek autoritetet lokale lidhur me ndalesën e hapjes së fabrikës, duke kërcënuar me bartje të selisë së Teslas jashtë këtij shteti. Qarku Alameda, ku gjendet fabrika, është urdhëruar që të qëndrojë i mbyllur deri në fund të muajit maj, përveç bizneseve të domosdoshme.

Sipas këtij Qarku, Tesla nuk është pjesë e bizneseve të domosdoshme. Autoritetet e kësaj zone kanë thënë se shkelja e masave të izolimit është e ndëshkueshme me gjobë, burgim, apo të dyja. Shtetet amerikane janë duke kërkuar për mënyra të rihapjes së ekonomisë së tij, duke rrezikuar përhapjen edhe më të madhe të koronavirusit.

Përhapja e pandemisë ka rezultuar me mbyllje të bizneseve dhe largim nga puna të miliona amerikanëve. Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi, pasi kanë raportuar mbi 1 milion të prekur dhe mbi 80,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton ky virus./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA