Dy foshnja dhe 11 nëna e infermiere janë vrarë në një sulm në një spital në kryeqytetin afgan. 15 persona të tjerë, mes të cilëve edhe disa fëmijë, janë plagosur pasi disa persona të armatosur sulmuan një maternitet në Kabul, mëngjesin e të martës. Pjesë të spitalit menaxhohen nga organizata bamirëse ndërkombëtare, mjekë pa kufij, dhe disa prej punonjësve atje janë të huaj.
Ndërkohë në lindje të vendit, një sulm mbi një ceremoni mortori, i mori jetën të paktën 24 personave. Dhjetëra të tjerë u lënduan në një shpërthim dhe numri i tyre mund të rritet akoma më shumë. Nuk është e qartë ndërkohë se kush qëndron pas sulmeve. Në Kabul, banorët lokalë dëgjuan dy shpërthime dhe më pas të shtëna me armë zjarri.
Një mjek që i kishte shpëtuar sulmit, që filloi rreth orës 10 sipas orës lokale, tha për BBC se 140 persona ndodheshin në spital kur agresorët nisën sulmin. Forcat speciale afgane shpëtuan 100 gra dhe fëmijë, përfshirë edhe tre të huaj – tha një zyrtar për BBC. Autorët e sulmit kishin hyrë në spital të veshur si policë, thanë disa dëshmitarë, dhe mbetën të gjithë të vrarë pas një përballjeje të armatosur që zgjati me orë.
Imazhet nga vendi i ngjarjes tregonin ushtarët që mbanin në krahë një foshnjë të sapolindur, të mbuluar me një batanije të njollosur me gjak, nuk është e qartë nëse foshnja ishte lënduar apo jo.
Top Channel