Hapje e shpejtë? Vatra të shumëfishta rishpërthimi të virusit

13/05/2020 01:51

Një zyrtar i lartë amerikan për shëndetësinë i tha një komisioni të Kongresit të martën se heqja e kufizimeve të koronavirusit më shpejt se ç’duhet mund të sjellë “goditje të vogla dhe të shndërrohen në vatra shpërthimesh” të epidemisë.

Dr Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha se “pasojat mund të jenë me të vërtetë serioze” nëse shtetet i kapërcejnë fazat e përcaktuara në planin me tre faza të Shtëpisë së Bardhë. Dr. Fauci dëshmoi në distancë nga zyra e tij jashtë Uashingtonit, ndërsa është vetëkarantinuar pasi ai u vendos në kontakt javën e kaluar me sekretaren e shtypit të Nënpresidentit Mike Pence, Katie Miller, e cila ka rezultuar pozitive nga testimi për COVID-19.

Tre zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë të shëndetësisë, Stephen Hahn, komisioneri i Administrimit të Ushqimit dhe Barnave; Robert Redfield, drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, si dhe Brett Giroir, Ndihmës Sekretar në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, po dëshmojnë në distancë para Komisionit të Shëndetit, Edukimit, Punës dhe Pensioneve në Senat.

Duke çelur seancën, senatori Lamar Alexander tha se “të qëndrosh në shtëpi për një kohë të pacaktuar nuk është zgjidhja për këtë pandemi”. Por, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për testime të gjithëpranishme, “miliona teste më shumë për t’u dhënë amerikanëve besimin e mjaftueshëm për t’u rikthyer në punë dhe në shkollë”.

Senatorja Patty Murray akuzoi Presidentin Donald Trump se ishte më i përqendruar në luftën kundër besimit sesa luftimin e virusit. Zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar për javë të tëra se lehtësimi i kufizimeve të qëndrimit në shtëpi dhe lejimi i bizneseve për të rifilluar funksionimin më shpejt se ç’duhet, mund të shkaktojë një rishfaqje të rasteve me COVID-19, duke rrezikuar si shëndetin publik, ashtu edhe dëshirën e administratës Trump për të filluar aktivitetin ekonomik.

Plani i Shtëpisë së Bardhë përshkruan disa rekomandime për shtetet, ndërsa ata shqyrtojnë se si të lehtësojnë kufizimet; ndër të tjera ata duhet të tregojnë një trajektore në rënie të testeve që rezultojnë pozitive dhe një rënie dy-javore në rastet e dokumentuara, si dhe sisteme të forta për gjurmimin e kontakteve të atyre që kanë rezultuar pozitivë. Dr. Fauci është një nga katër zyrtarët kryesorë që dëshmojnë para Komisionit të Shëndetit, Edukimit, Punës dhe Pensioneve të Senatit për seancën dëgjimore të titulluar “Të kthehemi të sigurtë në punë dhe në shkollë”.

Dr. Robert Redfield, drejtori i CDC-së, dhe komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave, Dr. Stephen Hahn, së bashku me Dr. Faucin, po i japin dëshmitë e tyre nga distanca, sepse ata janë duke u vetëizoluar pasi ranë në kontakt me një anëtar të stafit të Shtëpisë së Bardhë që ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Brett Giroir, ndihmës sekretar për shëndetësinë në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, gjithashtu po merr pjesë në takim.
Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se 1.3 milion raste të konfirmuara dhe 80,000 vdekje, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA