Përfytyroni që është pandemi dhe nuk mund të shkosh te mjeku nga frika e deportimit. Organizatat e ndihmës kërkojnë urgjentisht kujdes më të mirë për njerëzit pa status qëndrimi. Kjo do t’i mbronte të gjithë.
Burri është i dëshpëruar: vajza e tij ndihet keq, ka kollë dhe ethe. Ai vjen me të në klinikën Andocken të Diakonisë Hamburg. Normalisht për të mund të kujdeseshin në adresën e kontaktit për njerëzit pa dokumenta. Por gjithçka është e ndryshme në pandeminë e Coronas në mes të marsit. Babai dhe vajza dërgohen jashtë, dhe mjeku vullnetar i pyet ata jashtë – larg.
Kohët e fundit kanë ardhur nga Italia, një zonë me rrezik të lartë, kujton mamia Maike Jansen. Mjeku i bie numrit të telefonit të shërbimit të rojes – i zënë. Kur më në fund përgjigjet dikush, i thonë se nuk mund të shkojë askush. Babai dhe vajza duhet të shkojnë në një qendër për vizita.
“Përhapja e infeksionit”
Për Teresa Steinmüller-in, gjinekologe dhe psikoterapete te Andocken, kjo nuk është zgjidhje e mirë: “Këta janë pacientë që kanë frikë nga kontrollet”. Gjasat janë të mëdha që ata nuk shkojnë për t’u vizituar për të mos rrezikuar dëbimin. Njerëzit pa dokumenta ndihen të sigurtë vetëm aty ku ruhet anonimiteti i tyre. Po të ketë qenë e infektuar vajza, rrezikonte jo vetëm veten, thotë mjekja: “Kjo do të thotë përhapje e infeksionit”. Për Teresa Steinmüller, kjo është një lojë me rrezik – “si ruleta ruse”.
Pasojat e pandemisë së koronavirusit: nuk ka më orë vizitash urgjente
Për momentin nuk ka më orë vizitash emergjente te Andocken. Në dhomën e pritjes, ku përpara shpërthimit të Koronës rrinin 20 deri 30 njerëz, karrige dhe tabela mbrojnë punonjësit. Tani këtu lejohet të ulen vetëm gjashtë persona, të gjithë duhet të lënë më parë një orë takimi.
Në Gjermani, vlerësohet në 200,000 deri në 600,000 vetë numri i atyre që nuk kanë status qëndrimi legal. Këta njerëz, kujdesen për të moshuarit dhe fëmijët, pastrojnë apartamentet dhe zyrat, gatuajnë dhe shërbejnë ushqimin në restorante ose ndërtojnë godina. Ata shkojnë në punë edhe kur janë të sëmurë, sepse nuk kanë sigurim. Shumë i kanë humbur të ardhurat në krizën e Coronas. Edhe OBSH kërkon kujdes për njerëzit në kushte të pasigurta.
OJF-të bëjnë thirrje për “masa urgjente”
Qëndra këshillimore si Andocken e shohin detyrimin për kujdesin te qeveria. Në fillim të pandemisë, pothuajse nuk ekzistonte asnjë informacion në gjuhë të tjera, linjat direkte telefonike zakonisht kërkojnë njohuri të gjermanishtes. Shumë adresave të kontaktit iu desh të zvogëlojnë ofertat e tyre ose t’i mbyllnin ato plotësisht, raporton Klaus Walraf nga Mjekësia Maltese për Personat pa Sigurim Shëndetësor, e cila punon përndryshe në 20 qytete.
Në një letër të hapur në mars për ekipin e qeverisë gjermane për krizat, më shumë se 40 OJF kërkuan “masa urgjente”: për të mbuluar shpenzimet e diagnostikimit dhe trajtimit të COVID-19 për të gjithë – në mënyrë anonime nëse është e nevojshme – dhe ndalimin e përcjelljes së të dhënat të pacientëve autoriteteve të imigracionit. Nuk u dha përgjigje.
Testet: Në parim po, por ekziston rreziku i dëbimit
E pyetur nga DW, Ministria Federale e Brendshme njoftoi se një ndryshim në detyrimin për të transmetuar të dhëna tek autoritetet e imigracionit nuk ishte “i përshtatshëm”. Një zëdhënëse argumenton: “Kujdesi i plotë mjekësor për grupin e personave në fjalë është i garantuar, edhe për trajtime që kanë të bëjnë me një sëmundje për shkak të COVID-19”.
Praktikuesit e përjetojnë këtë ndryshe – dhe që gjatë testeve, shpjegon Stephanie Kirchner nga organizata e ndihmës Mjekët e Botës së DW: vërtet që shpenzimet e testimit do të mbuloheshin ligjërisht nga Ligji i Shërbimeve të Kërkuesve të Azilit. “Në fakt, kjo nuk mund të shfrytëzohet – përveç në rast urgjence – sepse rimbursimi në formën e një çertifikate shëndetësore së pari do të kërkohej nga Zyra e Sigurisë Sociale. Si institucion, Zyra e Sigurisë Sociale është e detyruar të raportojë në zyrën e imigracionit, në përputhje me nenin 87 të ligjit të qëndrimit. Me këtë ata i kërcënon dëbimi.”
Berlin: Mjekim anonim nga mjeku i familjes
Në Berlin, njerëzit pa sigurim shëndetësor kohët e fundit i kanë mjekuar në mënyrë anonime falas mjekët e familjes – pas këshillimit të zyrës koordinuese. Senatori i Shëndetësisë Dilek Kalayci thekson: “Sidomos në kohërat e një sëmundjeje, qasja në kujdesin shëndetësor ka një rëndësi të konsiderueshme për të gjithë”.
Por sipas përvojës së mjekëve në të gjithë botën, kjo nuk zgjidh të gjitha problemet, shprehet Stephanie Kirchner: “Kjo potencialisht ofron mundësi më të mirë. Por duket se ka probleme të kapacitetit në zyrën kooordinuese dhe problemet pranimi te mjekët e familjes.”
Në landin federal të Tyringenit ekziston një çertifikatë shëndetësore e anonimizuar. E pyetur për një zgjidhje mbarëkombëtare për sa i përket mbrojtjes nga infeksioni, Ministria Federale e Shëndetësisë i thotë DW se përgjegjëse për organizimin e shërbimeve shëndetësore në përputhje me Ligjin e Përfitimeve të Kërkuesve të Azilit janë landet federale./DW
Top Channel