Fiks fare vijoi investigimin për tenderin e Bashkisë Krujë, për ruajtjen e ekskavatorit të bordit të Kullimit, i cili dyshohet se është paracaktuar. Një ditë pas transmetimit të këtij investigimi, SPAK-u ka nisur hetimet, duke sekuestruar praktikën e tenderit dhe pamjet e transmetuara në emisionin Fiks fare. Ndërkohë, Bashkia e Krujës nuk dëshiroi të reagojë për këtë procedurë, duke u mjaftuar se “tani e ka marrë çështjen në dorë prokuroria”. Gazetarët e Fiks fare “gjetën” më në fund ekskavatorin, i cili ishte në punë në fshatin Budull në Fushë Krujë në gjendje punë dhe “ruhej” nga banorët dhe punëtorët.

Emisioni investigativ i kërkoi edhe Agjencisë së prokurimit Publik informacione për këtë tender, nëse duhej të përmendej apo jo emri i një firme private në dokumentet standarte.

“Konstatojmë se në DST e publikuara, shtojca 23, ‘Drafti i Marrëveshjes Kuadër’, e plotësuar nga autoriteti kontraktor, referojnë të dhëna që nuk duhet të ishin në këtë procedurë, pasi referojnë një operator ekonomik konkret” thotë shumë qartë APP. Më pas shton se modeli i marrëveshjes kuadër lidhet në përfundim të procedurës “dhe nuk mund të ketë kurrsesi referenca në operatorë ekonomikë konkret”. Pra, Bashkia e Krujës ka shkelur në këtë mënyrë ligjin e pokurimeve.

Më tej, APP thotë se “Autoriteti Kontraktor duhet të kishte hedhur shtojcën standarde të Marrëveshjes Kuadër, e cila plotësohet me të dhëna konkrete, vetëm pasi të ketë përfunduar procedura konkuruese”. Agjencia thotë se Bashkia e Krujës duhet të bëjë ndryshimin e dokumenteve të tenderit, duke hedhur shtojcën e duhur për procedurën e prokurimit që po zhvillohet dhe pastaj mund të vijojë me hapat e mëtejshëm. Pra, nga ajo që transmetoi Fiks Fare dhe “vulosi” APP, Bashkia e Krujës ka shkelur me të dyja këmbët ligjin, duke vendosur emrin e një firme private pa u zhvilluar akoma tenderi!

FOTO GALERI
1/4

Top Channel