Megjithëse Ministria e Brendshme maqedonase kishte informacion të saktë për vendodhjen e grupit,çuditërisht forcat speciale orientohen në një tjetër lokacion, në fshatin Hotele të komunës Likovë.

Policia ishte informuar se do kryenin bastisje ndaj një grupi narko-trafikantësh, dhe jo ndaj një grupi të armatosur rëndë. Duket që policia është keq-orientuar qëllimisht. Avokatët e grupit të Kumanovës, zbardhin për Top Story të dhëna operative që dalin në dritë për herë të parë dhe mbështesin tezën e keq-orientimit të policisë.

“Dëshmitari që ka qenë nën vëzhgim të këtij vendi, që thashë më parë Hotle të Kumanovës, thotë që gjatë vëzhgimit 24 orë s;ka pasur asgjë të dyshimtë. Kurse më datën 9 forca të mëdha të policisë drejtohen për Hotle”, tregon Mefail Arsllani, avokat i grupit të Kumanovës. Në orën 5 të mëngjesit, në periferi të lagjes së trimave janë dëgjuar të shtënat e para. Policia ka bastisur shtëpitë e vëllezërve Samet dhe Fadil Fejzullahu. Ky i fundit, vuan sot dënimin me burg për jetë nën akuzën e terrorizmit.

“Atë ditë ka qenë tmerr i madh atë ditë. Policia sllavo – maqedonase hyri me dhunë, pa paralajmërim, të gjithëve na rrahën”, tregon Granit Fejzullahu, djali i Fadil Fejzullahu. Në këto banesa, nuk u gjet asgjë e dyshimtë, njësoj si në lokacionin e bastisur në Hotle. Pas pak minutash, nisën breshëri të shumta armësh në brendësi të Lagjes së Trimave.

“Këtu nuk ka pas as armatim asgjë, ata janë futur kot këtu. Baba ka qenë në shtëpinë në qytet, në lagjen e trimave, atje arrestua”, tregon Granit Fejzullahu, djali i Fadil Fejzullahu. Gjatë gjithë paradites në Kumanovë vinin të shtëna nga armë të kalibrave të rëndë. Dhjetëra qytetarë raportonin në media të ndryshme se kishin mbetur të izoluar mes luftimeve, pa mundësi evakuimi. Situata ishte e paqartë derisa në mesditë, Ministria e Brendshme maqedonase raportoi se po zhvillohej një operacion kundër një grupimi terrorist.

“Sulmi ka filluar nga ana e palës tjetër, në drejtim të shtëpive ku kemi qenë, ne u kundërpërgjigjëm zjarrit me zjarr. Gjatë gjithë ditës, aty dihet sa shkatërrime, nga pala maqedonasë, jo nga ne, djegiet e shtëpive, gjuajtën pa kontroll ata me çdo arsenal, edhe nga helikopterët”, tregon për Top Story Muhamet Krasniqi, Pjestarë i grupit të Kumanovës

Luftëtarët shqiptarë ishin të pozicionuar në dy shtëpi në momentet e sulmit. Pozicionimi i tyre ndryshonte sipas dinamikës së luftimeve duke kaluar nga një banesë në tjetrën. Shumica e tyre ishin në gjumë dhe u gjetën të papërgatitur. Gjatë gjithë ditës, nga Lagja e Trimave dëgjoheshin të shtëna pa pushim. Lagja ishte vendosur në shtetrrethim të plotë.

Top Channel