Betejën e 9 Majit të vitit 2015 e parapriu një incident i rëndëi ndodhur në 21 Prill në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Disa persona, kishin marrë peng 4 policët e postës kufitare të Goshincës në Likovë, sulm i cili shfaqet edhe në këtë video. Ai, shënon momentin kur disa prej pjesëtarëve të grupit hynë në Maqedoni. Ata i kishin lidhur policët dhe u kishin thyer telefonat, në mënyrë që të vononin sa më shumë forcat speciale maqedonase.

“Në sulmin e Goshincës në s’kemi qenë pjesmarrës, kanë qenë 7 persona me sa di, prej tyre ka qenë Begu, Mirsadi e disa tjerë, armatimin e kanë marrë aty, edhe armatimin e kemi marrë brenda territorit të Maqedonisë”, tregon për Top Story Muhamet Krasniqi, Pjestarë i grupit të Kumanovës.

Në fakt, kjo arkë e boshatisur që shfaqet në pamjet e publikuara nga vetë policia maqedonase vërteton se arsenali për pajisjen me armë të rënda automatike të mbi 40 personave janë marrë aty. I dyshimtë është fakti pse një postë aq e vogël kufitare pa ndonjë rëndësi strategjike kishte një sasi armatimi aq të madhe. Duket se dikush i kishte lënë qëllimisht aty ato armë si pjesë e një plani më të gjerë.

Të nesërmen e sulmit në Goshincë, papritur partia në pushtet e Nikola Gruevskit VMRO-DPMNE njoftoi ndryshimin e datave të Kongresit ku kryeministri kandidonte për mandatin e katërt si kryetar. Kongresi ishte parashikuar pikërisht në datat 9 dhe 10 maj në Kumanovë, ndërkohë u afrua në 2 dhe 3 Maj. Pikërisht në datën 9 Maj do të ndodhte përleshja e Lagjes së Trimave.

Pas rastit të Goshincës, reagoi edhe Rusia që u kujdes ta theksonte si incident me prapavijë etnike. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, në këtë situatë ndikim primar kishte moszgjidhja e problemit të Kosovës dhe sloganet për të ashtuquajturën Shqipëria e Madhe.

Top Channel