Ministrja Xhaçka falenderon mjekët ushtarakë: Puna juaj e jashtëzakonshme

12/05/2020 09:42

120 mjekë e infermierë të specialiteteve të ndryshme, pjesë e Forcave të Armatosura kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këto kohë pandemie.

Të angazhuar pranë Spitalit të Traumës, mjekët dhe infermierët ushtarakë kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19, duke evidentuar rastet e reja të infektuara.

Që prej muajit mars Forcat e Armatosura ngritën çadrat e triazhit në mjediset e jashtme të Spitalit të Traumës, ku pas kontrolleve paraprake zbuluan pacientët me COVID-19, përpara se ata të pranoheshin në spital.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë takimit me efektivët e FA vlerësoi personelin shëndetësor ushtarak dhe atë civil në të gjithë vendin, për punën e palodhur dhe humane gjatë kësaj periudhe.

“Falënderim dhe një përgëzim gjithësecilit për punën e jashtëzakonshme që keni bërë. Falë punës tuaj dhe bluzave të bardha në të gjitha strukturat shëndetësore janë parandaluar probleme që mund të ishin shkaktuar si pasojë e pandemisë.

E di që nuk ka qenë e lehtë, por edhe vëmendja jonë, e qeverisë, e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Ministrisë së Shëndetësisë ka qene tek marrja e të gjitha masave, për trajtimin dhe për kushtet në mjedisin tuaj të punës dhe fatmirësisht nuk kemi pasur probleme. Një gjë është e sigurt, që më punën tuaj të jashtëzakonshme me kurajon dhe profesionalizmin që karakterizon gjithësecilin, ia keni dalë më së miri të parandalojmë probleme të tjera që mund të kishim pasur, nga çadrat e triazhit e deri brenda në spital ku vijon i gjithë procesi”- u shpreh ministrja Xhaçka.

Në Spitalin e Traumës shërbejnë 120 mjekë dhe infermierë ushtarakë të specialiteteve të ndryshme, ndërkohë që Njësia e Mjekësisë Ushtarake mbetet në gatishmëri për çdo emergjencë, kudo ku mund të kërkohet.

Në çadrat e triazhit të ngritura nga Forcat e Armatosura pranë Spitalit të Traumës janë kryer 1296 kontrolle paraprake që prej muajit mars kur këto cadra u ngritën.

Top Channel