Kthimi i shumëpritur në shtëpi i një punonjëseje italiane ndihme që mbahej peng nga një grup terrorist në Somali, ofroi një moment gëzimi për kombin që përballej me pandeminë e rëndë të koronavirusit.
Por pretendimet se qeveria ka paguar miliona euro për të siguruar lirimin e 24-vjeçares Silvia Romano po hedhin dyshime mbi celebrimet.
Italia tashmë dyshohet se se ka paguar për lirimin e shtetasve të marrë peng edhe pse mohon të ketë bërë diçka të tillë.
Grupi Al-Shabaab, me lidhje me al-Kaeda mori përgjegjësinë për pengmarrjen e Romano, dhe ka thënë se do të përdorë paratë e paguara nga qeveria italiane “për të blerë armët e xhihadit.”
Kontestimet janë shtuar pas raportimeve se Romano është konvertuar në fenë islame. Teksa zbriste nga avioni për të takuar familjen e saj dhe kryeministrin Giuseppe Conte, Romano mbante një shami koke të blertë.
Tashmë ajo është bërë objekt kritikash të ashpra online duke përfshirë dhe kërcënime me vdekje, duke detyruar policinë të ruajë shtëpinë e saj.
Edhe prifti i Milanos, don Enrico Parazzoli, tha se kishte marrë kritika kur i ra këmbanave për kthimin e saj, që sipas disave, “po transformon këmbanat e kishës në minare.”
Romano u mor peng më nëntor 2018 në Chakama,Kenia, duke punuar për bamirësinë italiane Africa Milele.
Policia thotë se ajo u dërgua me motoçikletë në Somali. Një zëdhënës i al-Shabaab, tha për La Repubblica: “Bëmë gjithçka që ajo të mos vuante pasi ishte një peng, jo i burgosur lufte”.
Por ashtu si të gjithë pengjet ajo ishte “objekt i çmuar,” tha ai, duke shtuar se paratë e shpërblesës do të përdoren për të blerë armë dhe për të paguar policinë në mbrojtje të rregullave të Kuranit.
Edhe Romano u tha hetuesve se “gjithmonë jam trajtuar mirë. Ata më thanë se nuk do të më vrasin dhe kjo rezultoi e vërtetë”.
Ajo shton se konvertimi në Islam ishtë një “zgjedhje e lirë” që kishte ndodhur gjatë burgosjes së saj.
Ajo kishte kërkuar diçka për të lexuar dhe i kishin dhënë një kopje të Kuranit në anglisht. Pengmarrësit i ksihin mësuar pak arabisht dhe i kishin shpjeguar fenë e kulturën. “Ishte një proces i ngadaltë. Nisa të lexoj nga kurioziteti dhe u kthye në normalitet”.
Por familja e saj thotë se është konvertuar nga presioni i jetës në formë pengu. Edhe gazetari italian Domenico Quirico, i cili qe marrë peng në Siri në 2013, është në një mendje me ta. “Asgjë nuk është e vullnetshme kur je i marrë peng”.
Partitë opozitare italiane thanë se konvertimi i Romanos është një propagandë fitoreje për terroristët.
Massimo Giorgetti, deputet i të djathtëve të Fratelli D’Italia tha: “A jam i lumtur për lirimin e Silvia Romano? Fare, tani kemi një musliman më shumë dhe 4 milionë euro më pak”.
Matteo Salvini, i Legas tha: “Terroristët islamikë fituan edhe para edhe betejën kulturore”.
Top Channel