Presidenti rus Vladimir Putin thotë se nga e marta, izolimi mbarëkombëtar nga koronavirusi do të zbutet dhe bizneset do të rihapen.
Ai tha se periudha e ndalimit të punës në vend, që kishte si qëllim të ndalte virusin ka zgjatur prej gjashtë javësh dhe vijimi në këtë linjë nuk është më i domosdoshëm. Zbutja e kufizimeve do të prekë të gjithë sektorët e ekonomisë – tha putin – por disa rajone mund të mbajnë kontrolle më të rrepta nëse do të jetë e nevojshme. Rusia ka tani numrin e tretë më të madh në botë të rasteve të konfirmuara të koronavirusit.
Në 24 orët e fundit, vendi ka raportuar një rritje rekord të përditshme prej 11656 rastesh të reja duke e çuar totalin në 221344. Kjo do të thotë se Rusia tani ka më shumë raste të konfirmuara edhe se Italia dhe Britania e Madhe. Vetëm Spanja dhe SHBA kanë raportuar më shumë infektime. Sipas shifrave zyrtare 2009 persona në rusi kanë humbur jetën nga virusi. Por shumëkush e vë në pikëpyetje shifrën e ulët dhe besojnë se ajo është shumë herë më e lartë. Sipas liderit rus, gjashtë javët e kufizimeve mundësuan përgatitjen e sistemit shëndetësor të vendit dhe shpëtimin e mijëra jetëve njerëzore. Pavarësisht rihapjes së bizneseve, eventet e mëdha publike mbeten të ndaluara dhe njerëzit duhet të vazhdojnë të ndjekin kërkesat strikte të higjienës.
Por – thotë Putin – është në interesin e të gjithëve që ekonomia të rikthehet në normalitet, e madje sa më shpejt. Sidoqoftë ai paralajmëron se pandemia nuk ka përfunduar ende dhe se rreziku mbetet. “Nuk duhet të lejojmë një vajë të re infektimesh dhe as komplikime të mëtejshme të situatës” tha Putin.
Top Channel