Banorët e lagjes Subash në Krujë, të cilët të hënën erdhën përpara bashkisë së këtij qyteti, për të pasur një takim me përfaqësues të këtij institucioni, pasi sipas tyre kjo bashki ka bërë publik një projekt rindërtimi për disa pallate të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, por në të janë përfshirë edhe shtëpitë e kësaj lagjeje, që sipas banorëve nuk janë të dëmtuara nga tërmeti dhe sipas banorëve, projekti është bërë pa konsultim me ta.

‘’Ne nuk kemi marrë asnjë njoftim, qoftë nga ana e kryetarit, qoftë nga ana e përfaqësuesve të bashkisë. Njoftimin, thjesht e kemi marrë nëpërmjet rrjeteve sociale. Plani urbanistik konsiston në ndërtimin e këtyre pallateve për strehimin e të dëmtuarve nga tërmeti, në një lagje autoktone 500 vjeçare, siç është lagjja e Subashëve, lagje në të cilën është konfirmuar që nuk ka asnjë dëmtim të banesave nga tërmeti i 26 nëntorit. Ne jemi për anulimin me çdo lloj kushti të këtij projekti’’.

Krahas banesave dhe hapësirave private, kjo lagje ka të përfshira në të edhe monumente kulture, për të cilat banorët po ashtu ngrenë të njëjtin shqetësim, ashtu si për shtëpitë e tyre.

‘’Por nuk mund të gjesh hapësira private, historike e aq me tepër autoktone, monumente kulturore të shemben në drejtim të rindërtimit të Krujës me një plan që është i miratuar nga Këshilli i Ministrave që në datën 13 shkurt. Janë vlerat tona kombëtare. Historia nuk griset. Historia ka faqet e mira dhe faqet e këqija. Nuk mund të heqim faqet se s’na pëlqejnë ca faqe më përpara’’.

Megjithatë për këtë problem, një ditë më parë ka reaguar në rrjete sociale edhe kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, i cili thotë se Bashkia që ai drejton është në kontakt të vazhdueshëm me studion që ka bërë këtë projekt, e po ashtu edhe me Ministrinë e Rindërtimit, për të bërë të mundur heqjen e kësaj lagjeje nga zona e rindërtimit. Por në anën tjetër banorët kërkojnë që kjo të bëhet zyrtare sa më parë dhe ata të njihen me vendimin në letër që lagjja e tyre ku ata kanë rrënjët prej shekujsh, nuk do të preket.

Top Channel