Disneyland në Shangai u rihap të hënën pas më shumë se tre muajsh i mbyllur ndërsa Kina po i kthehet normalitetit dhe walt disney co. kërkon të marrë veten nga problemet e shkaktuara nga pandemia.
Parku tematik në qytetin me popullatë më të madhe në kinë është i pari nga gjashtë resortet kryesore të Disneyt në botë që do të rihapen, por e bën këtë nën hijen e koronavirusit.
Ai ka pritur një numër të kufizuar vizitorësh që kishin prenotuar në avancë biletat, u ka matur temperaturat në hyrje dhe u ka kërkuar edhe një kod të veçantë të miratuar nga qeveria që provon se ata nuk përbëjnë rrezik për shëndetin.
E në një mëngjes të ngrohtë por pak të mjegullt, nga altoporlantët u kërkohej njerëzve të mbanin maskat mbrojtëse gjatë gjithë kohës dhe i kujtonte të respektonin distancimin social, përfshirë këtu në radhë apo në xhirot e ndryshme. Stafi po ashtu mbante në duar tabela me instruksione për distancimin social dhe shenja në tokë, por edhe postera, u tregonin njerëzve ku duhej të qëndronin ndërsa prisnin.
Disney ka thënë se do të ketë dezinfektime dhe pastrime të shpeshta dhe parku do të kufizojë apo pezullojë performancët që shpesh përfshijnë edhe ndërveprim mes vizitorëve dhe karaktereve siç është Mickey Mouse. Pavarësisht masave dhe frikës për raste të reja infektimesh, biletat për ditën e parë u shitën brenda pak minutash pasi dolën në shitje të premten.
Top Channel