Obama kritikon Trump/ “Reagim kaotik për koronavirusin në SHBA”

10/05/2020 20:32

Ish presidenti amerikan, Barak Obama, ka kritikuar ashpër pasardhësin e tij, Donald Trump, për mënyrën e reagimit ndaj krizës së koronavirusit. Obama e quajti mënyrën se si SHBA po përballet me pandeminë, një katastrofë absolute, kaotike. Duke iu përgjigjur atij, shtëpia e bardhë tha se reagimi i paprecedentë i presidentit Trump ka shpëtuar jetë amerikanësh.

Në komentet e tij, Obama tha se qëndrimi i pasuesit të tij republikan duhej fajësuar për reagimin amerikan ndaj koronavirusit.

“Situata do të kish qenë e vështirë edhe për qeverinë më të mirë të mundshme”, tha ai, duke shtuar. “Por, kjo që kemi parë ka qenë një katastrofë absolute kaotike për shkak të qëndrimit të vetë Trump.

Më shumë se 77 mijë njerëz kanë humbur jetën në SHBA dhe mbi 1.3 milionë është numri i të prekurve nga koronavirusi në SHBA, bilanc ky që e rendit atë në vendin e parë në botë. Shumë shtete morën masa kufizuese në mars, por tani kanë hequr kufizimet duke lejuar njerëzit të rikthehen në punë. Por, ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë se kjo mund të bëjë që virusi të përhapet akoma më shumë. Qasja e Trump ndaj pandemisë, në fakt ka qenë e lëkundur.

Në shkurt ai e minimizoi kërcënimin duke thënë se virusi do të zhdukej, por në mes të marsit ai e pranoi ashpërsinë e tij. Në prill ai sugjeroi që injektimi i dizinfektantëve mund të ishte një mënyrë për të zhdukur virusin, diçka që ekspertët e mohuan menjëherë. Javën e shkuar ai njoftoi se do të shpërbënte task forcën e qeverisë së tij për koronavirusin, por më pas tha se ajo do të vazhdonte të funksiononte por duke u fokusuar tek rihapja e ekonomisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA