Prej gati dy muajsh kufijtë e Bashkimit Evropian janë të mbyllura në shkallë të gjerë. Brukseli nuk dëshiron të ndryshojë gjë tani për tani, sepse situata është “e paqëndrueshme”.
Prej gati dy muajsh kufijtë e Bashkimit Evropian janë të mbyllura në shkallë të gjerë – për shkak të krizës së Coronës vetëm pak njerëzve u lejohet të qarkullojnë nga një vend në tjetrin. Brukseli nuk dëshiron të ndryshojë gjë tani për tani, sepse situata është “e paqëndrueshme”.
Për shkak të pandemisë së Coronës Komisioni i BE-së ka rekomanduar që ndalimi i qarkullimit të lirë të zgjatet edhe një herë. Autoritetet e Brukselit u kërkuan shteteve anëtare që t’i lënë në fuqi kufizimet deri më 15 qershor. Ndalimi i qarkullimit u vendos për herë të parë në mes të marsit. Deri tani ai është zgjatur një herë – deri në mes të muajit maj.
Të përjashtuar nga ky rregull janë qytetarët e BE dhe të huajt që kanë leje të përhershme qëndrimi në shtetet anëtare. Të përjashtuar janë gjithashtu personeli mjekësor dhe ekspertët e tjerë të nevojshëm për të luftuar pandeminë, të punësuarit në ndërmarrjet e transportit dhe punëtorët sezonalë.
Hapje në dy faza
Ndërsa disa shtete anëtare të BE-së i kanë zbutur rregullat e tyre kundër përhapjes së virusit, situata në Evropë dhe në mbarë botën mbetet e paqëndrueshme, deklaroi Komisioni. “Prandaj masat në kufijtë e jashtëm duhet të vazhdojnë për të zvogëluar rrezikun e përhapjes më tej të sëmundjes përmes udhëtimeve në BE”.
Qëllimi kryesor mbetet rivendosja e lirisë së plotë të lëvizjes në zonën Shengen, sapo kjo të jetë e mundur nga situata shëndetësore, tha Komisionerja e Brendshme e BE, Ylva Johansson. Ajo premtoi një hapje dyfazore: së pari, do të hiqen gradualisht kontrollet në kufijtë e brendshëm dhe pas kësaj mund të hiqem kufizimet në kufijtë e jashtëm.
14 ditë karantinë
Kufizimin e lirisë së qarkullimit e kanë vendosur të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Irlandës, si dhe vendet e asociuara me Shengenin: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Komisioni i BE-së vetëm mund të rekomandojë zgjatjen e kësaj mase. Zbatimi është në kompetencën e qeverive të shteteve anëtare. Shumë anëtarë të BE-së – përfshirë Gjermaninë – kanë vendosur gjithashtu mbylljen e kufijve të brendshëm me vendet e tjera të BE. Kjo do të thotë që kush nuk është gjerman ose nuk ka leje të përhershme qëndimi në Gjermani mund të hyjë në vend vetëm për arsye “madhore “. Dhe kushdo që hyn në Gjermani duhet të qëndrojë në karantinë për dy javë. DW
Top Channel