Një djalë pesë vjeçar në Nju Jork, raportohet se është fëmija i parë në këtë shtet që humb jetën nga një gjendje e rrallë inflamatore, që besohet të jetë e lidhur me koronavirus. Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, komunikoi lajmin e hidhur me anë të një konference shtypi. Mjekët në Spitalin e fëmijëve “Mount Sinai Kravis”, vend ku vogëlushi ishte i shtruar pasi ishte infektuar me koronavirus, konfirmuan vdekjen, por nuk dhanë ndonjë informacion shtesë.
“Rritja e numrit të rasteve është duke sfiduar bindjet e mëparshme se fëmijët janë më pak të rrezikuar nga COVID-19. Ndonëse është e rrallë, ne po shohim disa raste kur fëmijët e prekur me koronavirus, mund të sëmurën me simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki ose sindromën toksike të shokut, gjë e cila shkakton inflamacion në enët e tyre të gjakut”, tha Guvernatori Cuomo.
Ndërkaq, janë duke u bërë përpjekje për të mbledhur informacion mbi çrregullimin, e quajtur “Sindroma inflomator, i Multi-Sistemit Pediatrik, i lidhur potencialisht me COVID-19”. Departamenti i Shëndetit në Nju Jork, lëshoi alarmin duke u bërë thirrje spitaleve që nëse hasen me një rast të tillë, të raportonin në departament. Rastet e sëmundjeve inflamatore të rralla dhe të rrezikshme për jetën në fëmijët e infekuar me COVID-19, u raportuan për herë të parë në Britani, Itali dhe Spanjë. Ky çrregullim, sipas ekspertëve, mund të sulmojë organe të ndryshme në trupin e fëmijëve, kryesisht zemrën.
Top Channel