Futbollin italian e ka ndalur pandemia, por projektet për të ardhmen vazhdojnë pa u ndalur.
Inter dhe Milan zbuluan planin e ri për stadiumin, një punë impresionuese e 3 studiove të njohura që synojnë të kthejnë San Siron aktual, në një impiant ultramodern dhe me aktivitet 24 orësh.
Projekti i prezantuar, fryt i dialogut të muajve të fundit me Bashkinë e Milanos, kishte si kusht shfrytëzimin e zonës së stadiumit aktual, dhe nga tenderat, duket pikërisht kjo. Impianti i së ardhmes do të pasurohet me një minilagje sportive për të kaluar kohën e lirë dhe për aktivitete rekreative.
Projekti i ri përmirëson teknologjinë dhe shton sigurinë për një zonë që dy klubet e futbollit shpresojnë se do të jetë aktive, 365 ditë të vitit, për shkak të dyfishimit të hapësirës së gjelbër, krahasuar me 56 mijë metër katror që është sipërfaqja aktuale.
Milan dhe Inter insistojnë se projekti me vlerë 1 miliard Euro në kryeqendrën e Lombardisë, do të jetë një kryevepër që do të stimulojë edhe më shumë një nga zonat më të pasura ekonomike në Itali.
Top Channel