Polici 55-vjeç në “pension”/ Kush ka 30 vite punë përfiton gjysmë page deri sa të mbushë moshën

08/05/2020 19:34

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen online që zhvilloi këtë të premte, diskutoi projektligjin për trajtimin financiar të efektivëve të policisë.

Ky projektligj i miratuar nga Këshilli i Ministrave, në dhjetor të vitit të shkuar, parashikon që të gjithë punonjësit e policisë së shtetit, të cilët kanë mbushur moshës 55 vjeç dhe numërojnë 30 vite vjetërsi punë, në strukturat e rendit, mund të përfitojnë gjysmën e pagës neto, deri sa të plotësojë moshën e pensionit, nëse bëjnë kërkesë për tu larguar nga radhët e uniformave blu. Ministri i Brendshem, Sandër Lleshja, ftoi deputetët që ta votojnë këtë projektligj, pasi sipas tij, vendi ynë ka një polici të vjetër në moshë.

“Qëllimi është që ne të shkojmë drejt një moshe policie, të ngjashme me policitë e vendeve të tjera. Jemi polici e plakur. Dhe për ta plotësuar këta ka dy rruge, ose ti trajtojmë këta njerëz, ti japim një trajtim, ose t’i nxjerrim pa trajtim duke i nxjerrë me ato kompetenca që ne kemi sot. Qëllimi është të mos ta bëjmë kështu, sepse kemi të bëjmë me njerëz dhe që i ka shërbyer dhe i shërben Shqipërisë si askush tjetër”.

Por jo të gjithë ata që mbushin moshën 55 vjeç dhe plotësojnë kriterin e vjetërsisë së punës, do t’u pranohet kërkesa për t’u larguar nga radhët e policisë, dhe të marrin trajtim financiar, pasi kjo do të jetë në varësi të buxhetit që do të jetë në dispozicion.

“Mund të na vijnë 100 kerkesa për të dal, dhe ne mund tu themi të 100 kërkesave jo, sepse ne s’kemi buxhet për këtë, sepse kjo lidhet me buxhetin që vihet në dispozicion nga qeveria. Për sa kohë nuk flasim për një lloj pensioni po për një lloj instrumenti menaxhimi dhe këtu duhen bërë bashke edhe kushtet objektive që duhet të plotësoje punonjësi edhe mundësitë po objektive që duhet të plotësojë institucioni për këtë gjë”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mosha mesatare e policisë në vendin tonë është rreth 46 vjeç dhe nëse ky projektligj do të kalojë në parlament, synohet që brenda një periudhe tre vjeçare, policia e shtetit të rinohet me dy vite. /Andi Bora/

Top Channel