Matura Shtetërore 2020/ Drejtoresha e QSHA-së: Ja si do bëhet korrigjimi i testeve

08/05/2020 15:46

Në kuadër të informimit të maturantëve, në daljen e saj të radhës Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA)  Rezana Vrapi ka dhënë detaje në lidhje me procesin e korrigjimit të testit të Maturës Shtetërore 2020.

Ajo ka nënvizuar se korrigjimi do të bëhet në mënyrë digjitale, pasi i gjithë testi do të jetë i organizuar në pyetje me alternativa.

“Nxënësit, – thekson Vrapi, – pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave”.

“Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish, bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar,” – thotë  Vrapi.

Pasi të gjitha rezultatet të jenë publikuar, Vrapi thotë se me datë 1 korrik 2020 QSHA do të fillojë procesi i printimit të diplomave të Maturës Shtetërore, i cili do të jetë në dy faza. Në fazën e parë, do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ndërsa ditët në vijim, do të mbyllet edhe procesi për pjesën tjetër të maturantëve.

“Më datë 1 korrik, maturantët të cilët do të studiojnë jashtë, do të kenë në dorë diplomën e Maturës Shtetërore” – përfundon drejtoresha e QSHA në video-mesazhin e saj për maturantët.

Top Channel