Plot 775 mijë e 864 euro kanë marrë paga dhe kompensime deputetët e Kuvendit të Kosovës për muajt mars dhe prill të këtij viti, ka konfirmuar Kuvendi i Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Këto paga, deputetët i kanë marrë në kohën sa Kosova ka qenë duke u përballur me pandeminë e koronavirusit të ri.

Pavarësisht se institucionet u sfiduan nga kriza e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit dhe vendosja e kufizimeve të lëvizjes së qytetarëve, të cilat patën efekt negativ në ekonomi, të gjithë deputetët i morën të plota pagat për muajt mars dhe prill.

Asnjë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ka hequr dorë nga paga shkaku i pandemisë, konfirmon Kuvendi i Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Paga bazë e një deputeti të Kuvendit të Kosovës është 1,547 euro, duke përjashtuar kompensimet që ata marrin për pjesëmarrje në seanca, si dhe komisione parlamentare.

Por, që nga 13 marsi kur në Kosovë u shfaq rasti i parë me koronavirus, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën dy herë për buxhetin, një herë për të rrëzuar qeverinë dhe herën e fundit me propozim të Partisë Demokratike të Kosovës, për propozimin dhe miratimin e masave ekonomike e financiare për rimëkëmbjen ekonomike.

Kjo seancë përfundoi pak minuta pasi që nisi, për shkak se vetë PDK-ja u tërhoq nga propozimi për diskutimin e rezolutës që vetë e propozoi.

Gjatë muajve mars dhe prill, deputetët kanë qenë shumë pak aktivë edhe në komisione parlamentare.

Shoqëria civile: Deputetët përçuan mesazh të keq gjatë pandemisë
Organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës thonë se deputetët është dashur që të solidarizohen me krizën ekonomike, duke bërë kërkesë në nivel institucioni, që një pjesë e pagës së tyre të ndahet për të ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si dhe spitalet në nevojë.

Agnesa Haxhiu, hulumtuese e politikave në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se në dy muajt e pandemisë, mars dhe prill, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar t’i adresojnë nevojat e qytetarëve të Kosovës.

Haxhiu thotë se Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë në gjendje që t’iu ofrojë ndihmë institucioneve në luftën kundër pandemisë, sidomos gjatë muajve më kritikë, mars dhe prill.

Ajo beson se do të ishte një veprim i mirë i solidarizimit nëse deputetët në dy apo tre muajt e ardhshëm do të hiqnin dorë nga një pjesë e pagës për të ndihmuar në kapërcimin e situatës së shkaktuar nga pandemia.

“Sa i takon çështjes së zvogëlimit të pagës së deputetëve, kjo u takon deputetëve që të ndërmarrin një iniciativë të tillë. Ndonëse ka pasur disa iniciativa individuale të disa deputetëve që të ndajnë pagën e tyre, kjo nuk ka qenë në nivel institucioni. Marrë parasysh buxhetin e vogël që ka Ministria e Shëndetësisë në krahasim me nevojat aktualisht, por edhe pasojat ekonomike që ka shkaktuar pandemia, do të ishte një veprim i duhur, qoftë edhe për dy ose tre muaj, nëse deputetët vendosin të ndërmarrin një iniciativë të tillë”, thotë Haxhiu.

Ndërmarrja e një veprimi të tillë, sipas Haxhiut, përveçse do të ishte një solidarizim me qytetarët, do të shihej edhe si ndihmë për institucionet përkatëse në përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri.

Albert Krasniqi, nga organizata Demokraci Plus, vlerëson se deputetët kanë përçuar mesazhe të këqija te qytetarët gjatë kohës së pandemisë.

Krasniqi thotë se heqja dorë nga një pjesë e pagës nga ana e deputetëve do të ishte vetëm një simbolikë, porse nuk do të mund t’i sanonte dëmet që klasa politike i ka shkaktuar muajve të fundit.

“Mirë do të ishte sikur deputetët të kishin treguar një lloj të sensibilizimit më të madh dhe të përçimit të mesazheve edhe për komunitetet e tjera, që të japin donacionet e tyre, në mënyrë që të përballohet më lehtë pandemia. Mirëpo, një kuvend, i cili nuk ka treguar vullnet dhe nivel të lartë të përgjegjësisë për qytetarët… ndarja e pagave të tyre do të ishte hipokrizi, për shkak se dëmet, të cilat i ka bërë me sjelljet e saj klasa politike në vend, janë shumë më të mëdha dhe nuk mund të sanohen nga një heqje simbolike e një pjese të pagës së tyre”, thotë Krasniqi.

Krasniqi është kritik sa u takon seancave që Kuvendi i Kosovës i ka zhvilluar gjatë muajve mars dhe prill, pasi, sipas tij, ky institucion më shumë është koncentruar në luftë politike, sesa për të çuar përpara iniciativa për të mirën qytetare.

Në baza individuale, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, javëve të fundit, përmes rrjeteve sociale kanë njoftuar se do të dhurojnë gjysmën e pagës për menaxhimin dhe luftimin e koronavirusit të ri, por Radio Evropa e Lirë e ka pasur të pamundur të vërtetojë se sa prej tyre kanë bërë një gjë të tillë.

Solidarizimi i qeverisë në detyrë
Për dallim nga Kuvendi, disa anëtarë të kabinetit qeveritar janë solidarizuar me situatën e shkaktuar nga pandemia.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe disa ministra të kabinetit qeveritar dhuruan gjysmën e pagës për të ndihmuar luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Nga kabineti qeveritar, përpos kryeministrit në detyrë Kurti, ngjashëm kanë vepruar edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, si dhe ministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka.

Paratë që janë dhuruar nga këta anëtarë të kabinetit qeveritar, sipas zëdhënësit të Qeverisë në detyrë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kanë shkuar si mbështetje financiare në llogarinë për menaxhimin dhe luftimin e koronavirusit të ri.

“Të gjithë ministrat [që kanë dhuruar gjysmën e pagës], përfshirë zëvendëskryeministrin dhe kryeministrin në detyrë Kurti, kanë ndarë 50 për qind të pagës së tyre. Kurse, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka dhuruar 650 euro, që në përqindje i bie 56 për qind e pagës së tij”, thotë Kryeziu.

Aktualisht, paga e kryeministrit në Kosovë është rreth 1,500 euro, pasi në fillim të mandatit, kryeministri tani në detyrë, Albin Kurti, shfuqizoi vendimin e qeverisë së kaluar për të rritur pagën në vlerë prej 100 për qind, e me të cilin vendim paga e kryeministrit ishte 2,950 euro.

Rajoni po shqyrton uljen e pagave për muajt në vijim
Disa vende të rajonit kanë diskutuar mundësinë e uljes së pagave për muajt në vijim për zyrtarët e lartë shtetërorë, për shkak të dëmeve ekonomike që janë shkaktuar nga pandemia.

Por, në Kosovë deri më tani nuk është diskutuar për një iniciativë të tillë. Këtë nuk e ka konfirmuar Qeveria në detyrë e Kosovës.

Në rajon, Mali i Zi ka paralajmëruar mundësinë e uljes së pagave të funksionarëve shtetërorë për muajt maj dhe qershor, për shkak të situatës ekonomike të krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, ka përmendur mundësinë e uljes së pagave për kryeministrin, presidentin, këshilltarët e tyre, kryetarët e gjykatave dhe prokurorisë, si dhe drejtorëve të agjencive.

Ndërsa, disa funksionarë në Bosnje e Hercegovinë kanë hequr dorë nga një pjesë e pagës për muajin mars, ndërkohë që në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës kanë miratuar një akt që parlamentarët të heqin dorë nga paushalli që marrin.

Serbia është në mesin e vendeve më të prekura në rajon nga koronavirusi, porse as atje nuk është diskutuar mundësia e uljes së pagave për zyrtarët e lartë shtetërorë.

Në shenjë solidarizimi me situatën që po mbizotëron në Serbi, funksionarët e partisë së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë deklaruar se nuk do të marrin ndihmën prej 100 eurosh që shteti ka paralajmëruar për secilin qytetar mbi moshën 18 vjeç./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA