Presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti Mike Pence testuan negativisht për koronavirusin pasi u bë e ditur se një ushtarak amerikan që punonte në Shtëpinë e Bardhë rezultoi i infektuar me COVID-19.
Ushtaraku u identifikua nga televizioni CNN si ndihmës personal i Trump. Presidenti amerikan refuzoi të përdorte maskë gjatë një vizite të martën në një fabrikë të kompanisë Honeywell në Phoenix të shtetit Arizona. Një javë më parë, edhe Pence ishte bërë objekt kritikash sepse nuk vuri maskë gjatë një turi në Klinikën Mayo në Minesota.
Në muajin mars, Trump e kaloi njëherë frikën e infektimit pasi kishte pasur kontakte me disa anëtarë të një delegacioni presidencial brazilian, të cilët rezultuan asokohe pozitivë për virusin COVID-19. Por testi I tij edhe në atë rast rezultoi negativ. Virusi shpërtheu në fund të dhjetorit në Kinë, por është përhapur në të gjithë botën. Shtëpia e Bardhë njoftoi në 14 mars se ka filluar të kryejë kontrolle të temperaturës për këdo që vjen në kontakt të ngushtë me Trumpin, dhe zëvendëspresidentin, Pence.
Top Channel