Autoritetet britanike njoftuan vdekjen e 449 personave të tjerë nga COVID-19, një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar u bë zyrtarisht vendi me numrin më të madh të jetëve të humbura në Europë, 30.000, duke kaluar kështu Italinë.
Disa media vendase megjithatë thonë se numri është edhe më i lartë, pasi statistikat e NHS-së janë të prapambetura dhe një nga viktimat e njoftuara sot, sipas Daily Mail, në fakt ka vdekur në 13 mars.
Duke folur në emër të laburistëve, Sir Keir Starmer e pyeti kryeministrin Boris Johnson në parlament: “ Na thoni për atë Zot, sesi arritëm në këtë pikë”. Reagimi i tij i bën jehonë ndjenjave të mjaft britanikëve të tjerë, ndërsa një grup mjekësh kanë kërkuar hetim për reagimin e qeverisë ndaj pandemisë, duke i akuzuar zyrtarët se qenë shumë të ngadaltë me fillimin e bllokimit e u ankuan për një program të “papërshtatshëm” testimi dhe gjurmimi.
Zyrtarët në Britani janë kritikuar ashpër për faktin që në fillesat e pandemisë vendosën të hiqej dorë nga testimet e publikut, e akuzohen gjithashtu se nuk i kanë ofruar mbështetje mjaftueshme azile të pleqve, ku së fundi rezulton të kenë vdekur mijëra vetë.
Top Channel