Covid-19/ Rusia shënon rekord të ri ditor të rasteve

07/05/2020 11:27

Rusia konfirmoi numër të ri rekord njëditor të rasteve me koronavirus (COVID-19), ku 11.231 persona rezultuan pozitiv, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 177.160.

Numri i vdekjeve u rrit në 1.625 pasi 88 persona të tjerë vdiqën gjatë 24 orëve të fundit ndërsa 2.476 janë shëruar dhe u larguan nga spitalet, tha ekipi i urgjencës së vendit në një raport të përditshëm.

Më shumë se 4.000 pacientë janë në gjendje të rëndë, përfshirë 1.500 që janë në kujdes intensiv dhe 231 nën mbikëqyrje mjekësore me dyshimet për infeksion. Deri më tani, në Rusi janë kryer 4.8 milion teste që synojnë të diagnostikojnë sëmundjen në fazat e hershme kur është më pak ngjitëse.

Katër zyrtarë të lartë rusë brenda dy javësh janë shtruar në spital me koronavirus, përfshirë kryeministrin, Mikhail Mishustin. Përkundër masave të rrepta, përfshirë bllokimin e kryeqytetit Moskë, ndalimin e hyrjeve për të huajt dhe pezullimin e trafikut ndërkombëtar ajror dhe hekurudhor, Rusia është bërë vendi i pestë në botë për nga numri i rasteve, duke arritur në mbi 177 mijë të prekur.

Ndërkohë, më vonë këtë javë pritet të merret vendimi për heqjen e kufizimeve për të luftuar përhapjen e virusit duke filluar nga 12 maji.

Virusi është përhapur në mbarë botën që kur u shfaq në Kinë dhjetorin e kaluar. Pandemia ka marrë rreth 264 mijë jetë në të gjithë botën, me 3.75 milionë të infektuar dhe mbi 1.24 milionë të shëruar.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta