Përfaqësuesi i SHBA pranë OSBE-së në Vjenë i bëri thirrje Rusisë të heqë dorë nga keqinterpretimet e historisë që lidhen me Luftën e Dytë Botërore dhe tha se historia duhet regjistruar dhe kujtuar në tërësinë e saj.
Ambasadori James S. Gilmore III i bëri komentet e tij me rastin e 75-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. “Duke kujtuar historinë e plotë të Luftës së Dytë Botërore, – tha Gilmore, – ne nuk mund të harrojmë se për shumë popuj në Europën Qendrore dhe Lindore, fundi i shtypjes naziste u zëvendësua nga imponimi ose ri-imponimi, kundër vullnetit të tyre, i shtypjes komuniste.
Për ta, bekimet e plota të lirisë, që Europa Perëndimore i festoi në vitin 1945, erdhën vetëm në vitin 1989, 1990, ose më vonë”, shtoi ambasadori i cituar nga VOA. Ai tha se ndërsa ushtria dhe popullsia civile e Bashkimit Sovjetik bënë sakrifica të jashtëzakonshme për të mposhtur nazistët, nuk duhet harruar se Lufta e Dytë Botërore filloi në vitin 1939, kur Stalini dhe Hitleri arritën marrëveshjen që e ndau Europën Lindore në zonat e kontrolluara nga sovjetikët dhe nazistët.
Dhe për shumë vende të Europës, tha Gilmore, viti 1945 shënoi jo kthimin në liri, por fillimin e gati 50 viteve të shtypjes nga Bashkimi Sovjetik. Ambasadori shtoi se SHBA qëndrojnë në solidaritet me partnerët europianë kundër falsifikimit të historisë nga Rusia.
Top Channel