
Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo u zotua sot se “do të përdor çdo mjet” për të siguruar çlirimin e dy qytetarëve amerikanë, për të cilët Venezuela pretendon se janë kapur gjatë një misioni të dështuar diversionist në vendin amerikano-latin.
Gjatë një konference për shtyp në Departamentin e Shtetit, Pompeo i bëri jehonë komenteve të mëhershme të zyrtarëve të administratës Trump, se SHBA nuk është e përfshirë në “aksionin e shkuar keq”, që u dekonspirua të hënën.
Por ai shtoi: “Sa herë që ka amerikanë të mbajtur diku, ne punojmë për t’i rikthyer. Ne do të nisim procesin e zbulimit nëse këta amerikanë janë vërtet aty, dhe do të gjejnë një rrugëzgjidhjeje”.
Komentet e tij bien në kundërshtim me ato të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili tregoi dy ditë më parë pasaportat amerikane blu të të kapurve, për të cilët tha se ishin mercenarë të kapur nga forcat e sigurisë, pas zbarkimit në brigjet lindore të vendit, rreth 30 km larg kryeqytetit Caracas.
Ish-ushtaraku amerikan “Beretë e Gjelbër” Jordan Goudreau, tha sot per mediat perëndimore se po punonte me dy amerikanë të tjerë në këtë mision për “çlirimin” e Venezuelës.
Goudreau shtoi se dy ushtarakë amerikanë janë të kapur në Venezuelë, duke i identifikuar si Luke Denman e Aaron Berry, me të cilët ai kishte shërbyer në Irak.
Top Channel