Këto pamje të pazakonta, janë fiksuar në qendrën e qytetit të Kavajës. Aty dhe gjithëkund në vend, duket sikur jeta është ndalur. Kavaja është ndër zonat para në vend ku u përhap virusi Covid-19. Dy qytetarë në zonë kanë humbur jetën. Historia Nadir Ismailit, apo Ne’bit siç e njihnin të gjithë në Kavajë i tronditi të gjithë. Ai u nda nga jeta në moshën 42-vjeçare, dhe pa pasur asnjë sëmundje shoqëruese.

“Lajm mjaft i hidhur o vetëm nga aspekti njerëzor e i njohjes, por lajm i hidhur për vetë moshën që Nebi kishte. Nebi ishte një prind shembullor, një vëlla shumë i mirë për familjen por njëkohësisht social për ne miqtë e shokët, ka qenë njeri me zemër të madhe”, tregon Përparim Daiu, mik i Nebi Ismailit.

Ne’bie kishte ndërtuar jetën mes Italisë ku zotëronte një biznes dhe vendlindjes, ku kishte ngritur një hotel në bregdet. Në fund të muajit Shkurt, ai mbërrin nga Italia me simptomat e Covid-19. “Më ka marrë në telefon më ka thënë drejtor nuk ndjehem mirë, mos më ka kap dhe mua Covid 19. I marrin testin, dhe del përgjigjia që është pozitiv, si mik e shok i thashë meqë Tirana infektivi janë të specializuar mos rri në shpi, se po rëndohej nga dita në ditë”, tregon Përparim Daiu, mik i Nebi Ismailit.

Ne’bi nuk u dorëzua dhe vendosi të qëndrojë në shtëpi deri në fund pranë familjes. Për ata që e njohin, ai nuk ishte veç një biznesmen i suksesshëm, por edhe një familjar i përkushtuar. Ne’bi, përherë gjente kohën e mjaftueshme pranë njerëzve të zemrës, siç janë dhe këto momente të gëzueshme të tij që shihni në pamje. Gjatë qëndrimit në shtëpi, gjendja e tij po rëndohej nga dita në ditë.

Pas disa tentativash, më në fund Ne’bi pranon të shtrohet në spitalin infektiv. Atij po i vështirësohej së tepërmi frymëmarrja. Fotoja që shihni, është një ndër imazhet e Ne’bit brenda spitalit infektiv. Ai duket teksa merr oksigjen në mënyrë artificiale. Gjendja raportohej e stabilizuar por papritur ai përkeqësohet dhe humb jetën në 23 Mars.

Vdekja e tij ishte tronditëse për opinionin. Covid-19 kishte marrë një jetë të re, që nuk kishte sëmundje shoqëruese. Ai ishte një njeri tepër aktiv dhe shumë energjik siç duket në këto imazhe të rralla familjare. Disa muaj më parë Ne’bi kishte bërë vizitë për zemrën, por nuk dihet nëse realisht ka pasur probleme të tilla. Zyrtarisht, asgjë e tillë nuk u raportua.

“Një mjek i joni, spitalit Kavajës, që në tetor i ka bërë vizitë Nebit, kanë lënë konsultën për një vizitë sa më specifike për problemet kardiake, kjo mund të jetë por nuk është zyrtare pas nuk jam i informuar zyrtarisht”, tregon Përparim Daiu, mik i Nebi Ismailit.

Top Channel