Në emisionin e datës 28 Prill, Top Story transmetoi intervistën e një pacienti nga spitali infektiv, i cili ishte i shtruar me Covid-19. I përlotur, ai i shprehu ngushëllime familjes së Gledis Skurës në Lezhë, kushëririt të tij 42-vjeçar që humbi jetën po nga Koronavirusi në Britaninë e Madhe.

Top Story, iu drejtua familjes së Ledios, siç të gjithë e thërrisnin në Lezhë, ku na priti babai i tij Gjergji. Në komunikim, ai duket një burrë i fortë, por dhimbja për humbjen të birit e ka pushtuar. “Kur ishim ne, kur isha unë atje, se në janar kam ardhë, bëri ca analiza për punën, asgjë gjë s;kishte, krejt normal, I shëndosh ka qenë por jo se. Jo jo, asnjë lloj sëmundje s;ka pasur, ai s;ka pirë një asperinë në jetë vetë, kurrë”, tregon Gjergj Skuraj, babai i Ledio Skurajt.

Ledio, kishte shërbyer si punonjës policie në Lezhë. 10 vite më parë, ai vendosi të emigronte në Britaninë e Madhe për një jetë më të mirë. “Përgjithësisht Ledio ishte shofer në organet e rendit, një djalë i plotë, i gjallë, shumë i qeshur, shumë entuziast, shumë kreativ ndërkohë dhe më besoni që më duket e pabesueshme që covid-19 të mund të godasë e dëmtojë organizimin e Ledio SKrajt”, tregon Gjokë Jaku, Prefekt i Lezhës.

Duke qenë ish-punonjës policie, në Londër ai themelon një biznes në fushën e sigurisë fizike. “Djali ka një biznes të vetin atje në Angli, një kompani Sekurity, që ponon për… janë dy vëllezër që punojnë bashkë, djali vogël punon, furnizon lokalet, ka dy lokale të vetët, vëllai vetë punon për, punojnë bashkë. Aty si duket duhet ta ketë marrë infeksionin, në lokal patjetër”, tregon Gjergj Skuraj, babai i Ledio Skurajt.

Në fund të muajit Mars, 42-vjeçari fillon të ketë shqetësimet e para. Për gati 1 javë, ai kishte temperaturë të lartë. Pasi bën testin, rezulton pozitiv me Covid-19.

Top Channel