Ndarja me njerëzit e zemrës, që largohen nga kjo botë, është një moment dhimbje për çdokënd. Është një moment në të cilin askush nuk do të mungojë për ti mbajtur dorën familjarit deri në fund. Koronavirusi po u merr njerëzve edhe këto çaste. Akoma më keq, shumë viktima po mbeten nëpër morgjet e botës ose po varrosen mijëra kilometra larg atdheut.

Agron Vraja, nuk e kishte imagjinuar se këto momente të gëzueshme pranë djalit të tij student në Shtetet e Bashkuara, do të priteshin në mes në mënyrë tragjike për të. 52-vjeçari i plotësoi dëshirën Arbisit të festonte datëlindjen e 21-të të tij me babanë, mijëra kilometra larg atdheut pa e imagjinuar kurrë se po bënte një rrugë pa kthim.

“11 Mars sepse në 15 djali kishte ditëlindjen dhe kishte qejf të ishin bashkë, e kishte prerë gati dy muaj para biletën djali”, tregon Rozeta Vraja, Bashkëshorte e Agron Vrajës. Atë ditë, babë e bir shëtitën rrugëve të Nju Jorkut. Agroni kishte filluar të ndjente shqetësimet e para. Agroni, as që e kishte menduar se mund të ishte infektuar nga Covid-19. U nis nga Shqipëria shëndoshë e mirë dhe ditët e ekspozimit në Nju Jork, ishin më pak se 1 javë, kohë që nuk justifikon gjendjen e agravuar të tij aq shpejt. Koronavirusi u tregua mjaft ti nëzar me të.

Agroni e kaloi të gjithë dhimbjen i vetëm. Protokolli i sigurisë nuk i jepte asnjë mundësi djalit tij qëndronte pranë të atit. Agroni nuk vuante nga asnjë sëmundje shoqëruese. Ai kishte pasur një jetë të shëndetshme deri kur virusi i dëmtoi mushkërinë. Rozeta, kaloi përkrah Agronit 25 vitet më të bukura të jetës. Pengu i saj i madh mbeti pamundësia për të dëgjuar nga shoku i jetës mesazhin e fundit.

“Nuk arrita sepse ai nuk e dinte që do bëhej rëndë në mëngjes, ai është bërë në mëngjes rëndë. A ju dha një amanet? Jo, jo, unë e di amanetin e tij, janë fëmijët e vetë, sepse ai gjithmonë… preket, qan, edhe kur ishim mirë me njëri – tjetrin që flisnim ai thoshte që edhe në më gjet gjë mua, thoshte kot, jam e sigurt i ka fëmijët të sigurt me ty”, tregon Rozeta Vraja, Bashkëshorte e Agron Vrajës.

Top Channel