
Jetojnë në mjerim, dhe nuk kanë lekë për të dërguar vajzën nga Levani në Tiranë për të kryer hemodializën.
Babai i 5 fëmijëve, që deri tani ka paguar 5000 lekë një rrugë, të cilën duhet ta bëj tre herë në javë, kërkon ndihmë, pasi sipas tij spitali nuk i vendos mjet transporti edhe pse e ka kërkuar atë. Fiksi zgjidh problemin, mjeti i transportit do t’i vendoset urgjentisht.
Algision Kazanxhi, i cili me një makinë të marrë hua, thuajse të shkatërruar, bashkë me gruan dhe pesë fëmijët, tre herë në javë udhëton drejt Tiranës për t’i siguruar Suelës, vajzës së tij 8 vjeçare trajtimin e dializës. Suela Kazanxhi, prej më shumë se një viti kryen hemodializën në Tiranë. Babai i saj Algisioni u ankua në Fiks Fare, pasi nuk ka mundësi financiare për të përballuar rrugën tre herë në javë nga Fieri për në Tiranë. Ata banojnë në Levan të Fierit, lagjja një Maji dhe i përkasin komunitetit Rom. Ai thotë se një rrugë shkon deri në 5 mijë lekë të reja dhe deri tani ja ka dalë me borxhe. 10 mijë lekë në muaj që merr vajza nga shteti, nuk i dalin as për ilaçe. Ata jetojnë në kushte shumë të vështira, herë jashtë kur është koha e mirë edhe herë në baraken e gjyshes së vajzës.
Gazetarët e Fiksit udhëtuan drejt Fierit, për të parë kushtet në të cilat jetonte kjo familje. Në një barake ku me raste flinin 20 veta. Gjyshja e vajzës thotë se pushteti kujtohet për ta vetëm kur kërkon vota edhe atë e blen me një thes miell e vaj. Vajza ka nevojë urgjente për ndihmë, pasi kur koha është e mirë ajo bashkë me familjen, babain dhe 4 motrat dhe vëllezërit flenë në qiell të hapur. Gjyshja tregon barakën ku flenë kur bie shi, dhe rrobat e familjes që janë jashtë. Familja e tyre jetojnë në skamje totale dhe nuk kanë bukë për të ngrënë e jo më të përballojnë transportin.
Fiks Fare u interesua edhe pranë Drejtorisë së Spitalit Fier, nëndrejtori i spitalit deklaroi se babai s’ka kërkuar transport tek ta. Alban Toska, nën drejtor i shërbimeve administrative pranë Drejtorisë Spitalore Qarku Fier, pretendon se nga babai nuk është bërë një kërkesë e tillë. Spitali sipas udhëzimeve që ka dhënë Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë autoambulancë për të gjithë ata që kanë nevojë për të kryer hemodializën. Sipas tij, duke filluar që nga e mërkura, dita në të cilën vajza duhet të bëjë dializën, transporti do të sigurohet nga spitali.
Top Channel