Në shtëpinë e Kristaqit dhe të Amalisë në fshatin “Andon Poçi” duket se situata e korona virusit është shumë e ndryshme nga ajo që hasim nëpër qytete.
Këtu besohet se ajri i pastër, puna siguron një shëndet të mirë. Ata janë prindër të tre fëmijëve dhe gjyshër të gjashtë nipërve dhe mbesave të cilët sigurisht që ju mungojnë sepse janë në emigracion.
“Dëgjo, puna na mban. Po të isha në shtëpi do isha si e sëmurë. Kështu e humbas stresin që kemi për fëmijët. Kemi gjithë ata fëmijë nipër e mbesa e nuk kemi një këtu, por e humbas me punë na ikën mendja ditën, me njerëz na punë e kalojmë, por kemi fëmijët larg. I prisnim të vinin për Pashkët por doli kjo sëmundja dhe themi të jenë mirë pa le të rrinë.
Fshati “Andon Poçi” shumë pranë Gjirokastrës popullohet nga komuniteti arumun. Banorët këtu janë në 90% të tyre të moshuar, pensionistë por të gjithë punojnë në ekonomitë e tyre. Vitin e kaluar gati 40 punëtorë vinin këtu nga zona të tjera për të kontribuar për vjeljen e produkteve.Është tipike mbjellja e lajthive në këtë zonë por edhe e vreshtave. Këtë vit banorët do të duhet prej situatës së korona virusit të punojnë vetë.
“Unë punoj rreth 8 orë në ditë jo vetëm unë por i gjithë fshati megjithëse janë të moshuar të gjithë por nuk ka njeri që të rrijë. Na ka ndikuar pak që nuk kemi punëtorë që vjet i merrnin nga fshatrat e tjera ndaj jemi shtruar vetë në punë. Na është shtuar sforcimi por ka bërë mirë dhe kjo se nuk na bënte mirë që të rrinim. Jemi mësuar me punë.
A do kalojë situata keni shpresë?
“Ne jemi pleq dhe kemi parë pak më shumë. 70 vjeç unë tani. Kanë kaluar grip e viruse të tjera. Kanë vajtuar deri nq një pikë e pastaj ka mbaruar.
Na tregonte plaka që na ka vdekur dhe një motër e vogël 4 vjeç nga murtaja. Nuk dilnin njerëzit për ti varrosur por edhe ajo kaloi. Kishte njerëz që mbyllej shtëpia komplet.
Puna është e para, edhe në grip edhe në tension, vemi në punë lehtësohemi. Ata që janë pa punë jo me zemër, me tension se e kanë mendjen tek e keqja. Kur punon edhe nxjerr diçka edhe kënaqësh edhe stresin e largon.”
100 banorët e këtij fshati pothuajse të gjithë të moshuar duket se e kanë respektuar më së miri distancimin social. Nuk sheh njerëz në rrugë dhe as banorë që të frekuentojnë kishën e fshatit megjithatë ata janë jashtë duke punuar nëpër pronat e tyre dhe duke shpresuar se një ditë kjo situatë do të përfundojë.
Top Channel