Regjisori i burgosur egjiptian vdes në një burg në Kajro

03/05/2020 15:10

Burimet e opozitës egjiptiane njoftuan të shtunën se regjisori Shadi Habash ka vdekur në një burg në Kajron jugore për shkak të përkeqësimit të kushteve shëndetësore, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Regjisori Shadi Habash vdiq në moshën 24-vjeç në burgun Tora në Kajron jugore”, shkroi këngëtari Rami Essam në Twitter.

Habash u arrestua në mars të vitit 2018, një muaj pasi Essam nxori një këngë satirike që u bë virale, e njohur ndryshe si Balaha, ku kritikohet presidenti el-Sisi për kandidimin për mandatin e dytë, ndërsa videoklipi ishte bërë nga Habash.

Essam tha se Prokuroria e Sigurisë së Shtetit akuzoi Habashin për “përhapjen e lajmeve të rreme dhe anëtarësim në një grup terrorist”.

Disa figura të opozitës konfirmuan vdekjen e Habashit, duke përfshirë ish-ministrin Mohammad Mahsoub, aktivisten ligjore Aya Hijazi dhe regjisorin e famshëm egjiptian Khaled Youssef.

Rrjeti Arab i Informatave për të Drejtat e Njeriut shkroi gjithashtu në Twitter se Habash vdiq “si rezultat i pakujdesisë dhe mungesës së drejtësisë pasi kaloi më shumë se dy vjet në burg”.

Autoritetet e vendit ende nuk janë prononcuar lidhur me vdekjen e Shadi Habash.

Habash raportohet se shkroi një letër në tetor 2019 në të cilën kërkonte mbështetje.

“Burgu nuk vret, por vetmia e po”, ka thënë Habash. “Në dy vitet e fundit u përpoqa të rezistoj, por nuk mundem më”, ka shkruar ai në një letër ende të pakonfirmuar.

Amnesty International kërkoi në mars që Egjipti të lirojë “të burgosurit e ndërgjegjes dhe të burgosurit e tjerë në rrezik” me shpërthimin e koronavirusit.

Human Right Watch ka thënë se ka rreth 60.000 të burgosur politikë të tjerë në burgjet egjiptiane që vuajnë nga mbingarkesa dhe janë të prekshëm nga infeksioni i koronavirusit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA