Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest me burg” për të akuzuarin për terrorizëm Komron Zukhurov, 24-vjeç i cili u arrestua pak ditë më parë në kryeqytetin shqiptar.
I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, pasi dyshohej si anëtar dhe pjesëmarrës në një organizatë të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).
Ndërkohë avokati i tij, Asllan Dogjani tha se Komron Zukhurov ka ardhur për herë të parë në Shqipëri, në mënyrë të rregullt me vizë. Sipas avokatit 24-vjeçari ka ndenjur te halla e tij .
Sipas avokatit i dyshuari për terrorizëm u dorëzua vetë në polici dhe se ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar në Gjermani, por me kusht që të mos ekstradohet në Taxhikistan, pasi më parë regjimi i këtij vendi e ka dhunuar duke përdorur rrymën elektrike.
“Nuk kishte një procesverbal. Ai ka shkuar vullnetarisht në policinë e shtetit pa asnjë lloj presioni. Nuk e ka kërkuar askush policia nuk e ka ditur që ai do të shkojë. Keni dëgjuar ndonjë që shkon vet? Gjykata dha arrest me burg ne kërkuam masë më të butë. Në rastin konkret ai ka shkuar vetë, ka dhënë pëlqime për ekstradim. Kërkon të ekstradohet por me një kusht që Gjermania në përfundim të procesit hetimor të mos e ekstradojë në Taxhikistan se është diktaturë dhe i rrezikohet jeta.”
“Ai këto ditë pret një fëmijë. Ka dy vjet në Gjermani dhe kur u ekstradua në Taxhikistan është dhunuar edhe me rrymë elektrike. Ai ka ardhur me vizë në mënyrë legale dhe duke respektuar rregullat. Ka ardhur tek halla e tij për vizitë. Është një djalë shumë i mirë dhe pret një djalë.” tha avokati.
Top Channel