1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.
Miliona punëtorë në botë zakonisht e kremtojnë 1 majin, Ditën Ndërkombëtare të tyre me marshime e protesta. Por këtë vit do të jetë ndryshe, për shkak të kufizimeve të vendosura për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.
Por në Athinë, njerëzit i sfiduan masat e izolimit. Me maska, doreza dhe duke mbajtur distancë nga njëri tjetri, ata dolën nëpër rrugë për të demonstruar në mënyrë paqësore.
Ndërkohë, në krahun tjetër, në Turqi të paktën 42 persona u arrestuan në Stamboll dhe Ankara në përpjekjen për të zhvilluar marshime me rastin e Ditës së 1 Majit në mes masave parandaluese të virusit të ri.
Midis të arrestuarve ishte dhe Arzu Cerkezoglu, kreu i Konfederatës së Sindikatave Progresive (DISK).
Gjithashtu, 11 persona u arrestuan në qarkun Kadikoy të Stambollit në anën anatoliane në përpjekje për të mbajtur tubim.
12 persona të tjerë u arrestuan në qarkun Sisli të Stambollit ndërsa tentonin të marshonin drejt sheshit Taksim.
Departamenti i Policisë së Stambollit deklaroi se gjithsej 44.756 personel janë në detyrë si pjesë e masave për të parandaluar tubimet në mes të orës policore.
Shtatë persona u arrestuan në kryeqytetin Ankara.
Në vitin 1977, demonstratat e Ditës së punëtorit në sheshin Taksim të Stambollit lanë 34 persona të vdekur dhe 136 të plagosur në ngjarjen që u bë e njohur si 1 Maji i Përgjakshëm.
Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Top Channel