Fiks Fare vijoi denoncimet ndaj disa institucioneve shtetërore që nuk i paguajnë punëtorëve pagat mujore. Dhjetëra punonjës të kompanisë Al Bakri, që varet nga Ministria e Ekonomisë, janë prej disa muajsh pa rroga mujore.
Pas problematikës në kompanitë shtetërore Alb Miniera dhe të Uzinës Mekanike në Poliçan, në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan punonjës të kompanisë shtetërore Alb Bakri. 22 punonjës shtetërorë s’kanë marrë pagat mujore.
Inxhinieri Halit Shqarthi ankohet se “në të njëjtën situatë jemi edhe ne, punonjësit e kompanisë AL Bakër Sha, në likujdim Tiranë”. Sipas tij, “kemi qysh nga muaji qershor 2019 dhe deri më sot 18 prill 2020 që nuk kemi marrë pagat mujore. Ka që nga maji 2019 që nuk janë paguar sigurimet shoqërore në Drejtorinë e Tatimeve Tiranë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka mbi 1 vit që ka pezulluar të gjitha shitjet e aseteve të kësaj kompanie”.
Më tej shton se shoqëria është me kapital shtetëror, por me status në likuidim dhe krijon të ardhura nga shitja e aseteve në ankande publike. “Janë mbi 21 punonjës dhe disa roje në vështirësi të mëdha financiare” pohoi ai. Një tjetër ankesë është e z.Azem Nela. “Është e papranueshme situata në kompaninë Al Bakër, qeveria ta zgjidhë sa më parë, 10 muaj pa paga, muaj të tëra pa sigurime. Janë të gjithë inxhinierë me përvojë, nuk mund të luhet në këtë mënyrë” tha ai.
Gazetarët pyetën edhe z.Petraq Premtin, administrator i kësaj kompanie. “E vërtetë që s’kanë marrë pagat. Ne si Alb Bakër, para disa kohësh kemi marrë gjysmën e pagës së muajit qershor 2019. Kanë marrë gjysmën e qershorit, ndërsa për sigurimet shoqërore janë paguar maji i vitit 2019. Punonjësit janë akoma në verën e vitit 2019! Po bëjmë 10 muaj e gjysmë që s’kanë rroga” tha ai. Më tej shtoi se pengesë në këtë situatë është ministria e Financave dhe Ekonomisë. “Pronari i vetëm i kësaj shoqërie është me kapital 100 përqind shtetëror.
Unë kam 22 punonjës në total, kontratat i kanë bërë me shtetin. Ne kemi bërë disa shkresa, drejtuar Ministrisë së Financave, presim që të dalë dhe kjo VKM, me anën e të cilave do marrim frymë këto SHA-të, që kanë të gjitha këto vështirësi ekonomike. Më pas do të fillojmë edhe shitjen e pasurive dhe likuidimin e borxheve. Aktualisht kemi 400 milionë lekë të tjera borxhe” pohoi ai, ndërsa shton se kanë aplikuar për pagën e luftës, po deri tani s’kanë marrë asnjë rrogë.
Top Channel