Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e parashtruar nga 30 deputetë të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes së cilës kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës.
Përveç kësaj, në kërkesën e parashtruar, deputetët parashtrues kanë kërkuar nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullim të zbatimit të dekretit në fjalë.
“Me qëllim të shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës, Gjykata dje ka dërguar shkresat njoftuese përmes së cilave ka kërkuar nga të gjitha palët e interesit në këtë rast që komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 1 maj 2020, në orën 12:00 dhe komentet përkitazi me meritat e kërkesës, t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj 2020, në orën 16:00. Njoftimi për regjistrimin e kërkesës së parashtruar nga deputetët dhe për dorëzimin e komenteve tashmë u është dërguar: Presidentit të Kosovës; Kryeministrit të Kosovës; Kryetares së Kuvendit të Kosovës, me kërkesën specifike që kopja e kërkesës t’u dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe Avokatit të Popullit”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet.
Top Channel