“Për të qarë dhe ulëritur”/ Hajdari vlerëson Manastirliun, sulmon Ahmetajn: Ju deputetë s’duhet të mbyllni gojën

30/04/2020 12:16

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari ka falënderuar publikisht ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu “për punën e bërë deri më tani me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit”.

“Ministrja Manastirliu ishe e vetmja sot që dhatë një fjalë që ishte për t’ju duartrokitur dhe keni bërë një punë shumë të mirë. Si një nënë ju uroj për punën që keni bërë.”

Më tej u ndal te propozimi i Ilir Beqajt sa i takon pensioneve duke u shprehur:

“Ai që abuzon sot do t’i përgjigjet popullit në datën e zgjedhjeve. Ai kryeministër që sot tallet duke folur me vetën dhe duke sharë lartë e poshtë po çon energji negative në popull. Kur kemi një kryeministër që teston Beqajn, ajo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie. Ju deputetë nuk duhet të mbyllni gojën dhe duhet të thoni të vërtetën. Të jeni pak më humanë dhe të mos bëni lavda kundrejt kryeministrit.”

Më tej u ndal te ministri Ahmetaj, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence dhe tallje me qytetarët lidhur me menaxhimin e situatës së shkaktuar nga Covis-19.

“Në këtë sallë ka egoistë dhe të pafytyrë për të folur për njëri tjetrin. Kur do të përdoret kjo sallë vetëm për politikat për shëndetin dhe ekonominë.  Sot shqiptarët kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë. Ne nuk dimë t’ia japim sikur duhet. Ahmetaj gënjeu, pasi Kosova është vendi që na ka lënë ne sidomos nga menaxhimi. E lëmë Serbinë, por edhe Kosova po shërben më mirë se ne. Ahmetaj nuk e thotë këtë. Këtu nuk do të ishte marrë vesh asgjë, si po izolohet çdo informacion, të vjen keq, për të qarë dhe ulëritur.  Ekzekutivi po abuzon me gjendjen aktuale, por do të përgjigjet në datën e zgjedhjeve me mënyrën e fashave orare, pa sens, pa logjikë. Ai kryeministër që tallet dhe bën video në pozicione të ndryshme, po çon energjinë më negative në popull. Ne duam solidaritet.”

Top Channel