“Pas ditës së tretë u intubua”/ Nora Malaj në zi, flet për humbjen e madhe në këtë kohë pandemie

30/04/2020 14:34

Në studion e emisionit “Shqipëria Live”, ishte e ftuar ish-deputetja Nora Malaj.

Nora, para disa ditësh me anë të një statusi në rrjete sociale, rrëfeu lajmin tragjik e ndarjes nga jeta të nënës së saj, nënë Vitës. Edhe gjatë fjalës në studio, Nora shprehej tepër e tronditur. Ajo thotë se nëna do të jetë gjithmonë me të, ndonëse jo me praninë fizike, por përmes kujtimeve. Ndër të tjera, Nora Malaj, u shpreh se ndryshe nga i ati, që kishte një ceremoni mortore, me pjesëmarrje prej 2.500 personash, nënën e saj për në banesën e fundit, e shoqëroi, një grup i ngushtë njerëzish.

“Më ra ky mort dhe kuptova që jeta është një sfidë shumë e madhe dhe duhet të menaxhosh dashurinë për jetën. Për mua nuk ka vdekje të prindërve. Përparim Kapo më tha: Nora ne jemi pranë teje dhe të ngushëllojmë, nëna nuk ka ikur, është me ty nëpërmjet kujtimeve të tua, kujtoje në çdo moment. Ime më jetonte vetem, sepse ne jemi dy vajza dhe motra ime nuk jeton këtu. Ka qenë një grua shumë vitale dhe e fortë. Pjesën bazike e ka pasur formim mjekësor dhe pjesën tjetër e ka pasur formim arsimor. Ka qenë një njeri që ka dhënë kontribut të madh në qytetin e Durrësit. I falenderoj mjekët që u kujdesën për mamin. Dita e fundit kur ne u takuam ishte tetë marsi, ku ne kaluam një ditë të bukur. Respektuam izolimin sepse dhe ajo nuk dëshironte të na krijonte probleme. Ishte e shqetësuar për situatën, kishte hallin e fëmijëve, të vjehrrit tim 94-vjeçar. Na jepte kurajo, edhe për mësimdhënien. Na mbante dhe hallin, por ishte dhe shumë e kujdeshsmë për të na përcjellur gjithmonë pozitivitet. Nëse babai është shkëmbi ku ti mbështet kurrizin dhe je e sigurt, nëna është lëndina dhe ta bën jetën e bukur. Mamaja nuk dëshironte të na vinte në siklet edhe pse ishte e sëmurë. Fotografia ishte në moshën 18 vjeçare (flet për një fotografi, të nënës dhe babait, në moshë të re). Stërgjyshi im u gëzua shumë sepse mbesa mori një kapiten, një detar, do e kishin jetën e bukur. Ku je o bukuroshja ime e përjetshme, e thërriste babai. Unë e kam dërguar vetë në spital, e kam dërguar në normalitet. Më kujohet në momentin që e çuam, kanë bërë të jashtëzakonshmen sepse ka qenë piku i Covid-it dhe situata ka qenë e vështirë. Pas ditës së tretë u detyrua të intubohej dhe fjala që ndamë me mamin ishte kur i them që a të ka marrë malli për të pirë një kafe, ajo nuk fliste më lëviste vetullat. Por në fakt  nuk piva kafe në shtëpi, por kafen e mortit të saj. Përpara se të iknim, të gjithë mjekët, qëndruan aty bashkë me ne dhe i bënë homazhet e fundit. Babai kishte njohje nga e gjithë bota, dhe të ftuarit kanë qenë rreth 2.500 persona, ndërsa te nëna, të paktën na u lejua mundësia e kortezhit për ta dërguar në Tiranë”, tha Malaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA