Është e disata herë që Dafina detyrohet të kërkojë ushqime veresie, po kthehet duarbosh nga dyqanet. Situata e shkaktuar nga mungesa e punës në kohë pandemie e bëjnë të dyshimtë shlyerjen e borxheve në dyqanet e lagjes.

“S’më jep kush ushqime. Më thonë s’ke të ardhura. S’më jep kush se thonë s’ke me çfarë të paguash. Edhe më parë kam marrë dhe kur punoj i laj, po tani nuk më japin se s’kam më punë. U bënë 2 muaj që nuk punoj. Qëkur ra kjo. Shkoja nëpër shtëpi e pastroja. Po punë stabël nuk bëj dot se mamanë e kam të paralizuar e do shërbim. Edhe djalin e kam jetim”.

Në shtëpi e pret djali 6 vjeçar dhe nëna e paralizuar, të cilët kërkojnë ushqim dhe kujdes vetëm prej saj.

“S’më ka ndihmuar asnjë. Thonë nuk do të jeni vetëm, po asgjë. Asnjë përgjigje.I kam shkruar dhe Edi Ramës, edhe bashkisë dhe asnjë përgjigje. Jam shumë keq. Nuk kam asnjë lloj gjëje. Janë dy fqinjë që më ndihmojnë herë pas here. Kur të hapet do punoj aq sa mundet, po tani jam keq. Nëna do shërbim. Më parë i kam mbyllur në çelës me frikë kur shkoja në punë… E vetme jam.”

Jeta është e vështirë për Dafinën, teksa tregon pjatën me buke e kos në frigorifer dhe dollapet pa ushqime.

“Ja pres një shoqe të më japë një pjatë gjellë për mamën ose do t’i japë përsheshin me kos që la nga mbrëmë dhe për djalin…”

Në këtë kohë karantine nuk mund të punojë më si pastruese nëpër familje. Pensioni i invaliditetit që merr e ëma shkon në shlyerjen e qirasë së banesës, ujit e dritave.

“Një pension që ka mamaja heq të paktën drita, ujë e qira. Të paktën të mos ngelemi jashtë dhe po ngeli gjë blejmë diçka sa për të kaluar dhe punoj me ditë. Këto kohë të karantinës nuk më ka ndihmuar. Unë s’punoj se njerëzit kanë qenë vetë në shtëpi dhe mund të bëjnë punë vetë, po dhe s’pranojnë njeri”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA