Një nga krenaritë e Shqipërisë, Kombinati Mekanik në Poliçan që dikur prodhonte armë dhe municione, është katandisur si mos më keq. Menaxhimi i dobët ndër vite, apo edhe punësimet politike në këtë uzinë, kanë sjellë shkatërrimin e plotë të tij.

Megjithëse ka një shtrirje prej dhjetëra hektarësh, apo edhe me tunele të mëdha nën tokë, ky Kombinat nuk arrin të prodhojë asgjë. Madje, edhe tentativat e herë pas hershme për ta rivënë në punë kanë dështuar.

Dhe sot, 30 vite pas pluralizmit, Kombinati që ngriti qytetin e Poliçanit, nuk arrin dot të paguajë as rrogat e punëtorëve. Megjithëse në brendësi të tij ka dhjetëra makineri që prodhojnë armë dhe municione, apo edhe tonelata të tëra me barut dhe tunxh, askush nuk ka dënjuar të dëgjojë thirrjet e punëtorëve. Institucionet qendrore kanë larë duart, duke i vendosur pas emrit të Uzinës një SHA, duke e cilësuar “me vetë financim”.

Vendimet e pushtetit qendror, i cili urdhëronte punësimin e qindra militantëve për fushata elektorale, apo edhe pushteti lokal që i ka marrë një pjesë të territorit, kanë “kafshuar” pasurinë e shqiptarëve.

Mbrëmjen e së mërkurës, emisioni Fiks Fare iu rikthye problematikës së këtij Kombinati, duke dëgjuar ankesat e punëtorëve që prej gati 30 muajsh nuk kanë marrë pagat mujore. Situata ishte dramatike, pasi Kombinati nuk kishte as drejtues. Ky i fundit ishte larguar nga detyra dhe ishte emëruar diku tjetër, duke lënë “jetimë” punëtorët dhe vetë kombinatin.

Por edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë larguar nga detyra, çka ka sjellë që ky Kombinat të mos marrë asnjë vendim. Më të prekurit ishin punëtorët aktualë, të cilët në kohë pandemie nuk kishin asnjë të ardhur. Ata thanë për Fiks Fare se s’kanë as paga, as asistencë, por as ndihma. Me letra figurojnë në punë, por në bankë dhe në xhepa janë pa lekë.

Ata pohojnë se Kombinati mund të prodhojë municione, por ska as drejtues, as ndihmë nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas tyre, kanë ardhur disa poligone që duan fishekë, por askush nuk i lejon që të prodhojnë. “Brenda ka tonelata me lëndë të parë që prodhon municione. Prandaj nuk e lëmë dot punën” thonë ata, teksa kërkesat e tyre janë që të marrin të paktën pagat. Madje, edhe pagat e luftës! Ho të armëve që ata kanë prodhuar apo mund të prodhojnë, por të luftës si pasojë e pandemisë.

Fiksi bisedoi edhe me nëndrejtorin e Kombinatit, i cili konfirmoi se edhe ai është pa pagë, ashtu si banorët. Ai pranoi se ka pasur një keqmenaxhim ndër vite, me borxhe gjithandej, që kanë sjellë këtë situatë. Gazetarët pyetën edhe kryetarin e Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, i cili tha se është e vërtetë që punëtorët janë pa paga.

Pohon se bashkia ka shpërndarë disa ndihma ushqimlre, por kjo sipas tij nuk është e mjaftueshme. Më tej shton se në në sistem këta punëtorë figurojnë me paga.

Zotkaj shton se i ka dërguar ministrisë së Mbrojtjes disa opsione për ta rivënë në punë Kombinatin, madje edhe mendime të specialistëve, por deri tani s’është pranuar asnjë gjë. Ai tha se disa firma të huaja kanë bërë disa propozime, por ato janë penguar. Gazetarët e pyetën se përse bashkia administron një territor të Kombinatit, ndërsa Zotkaj thotë se territori ishte i lirë. Kjo sipërfaqe aktualisht i është dhënë një subjekti privat dhe të ardhurat i merr Bashkia.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA